GJKKO inaguron rikonstruksionet e mjediseve të reja të seancave gjyqësore

Nga Redaksia – Kryetari në detyrë i GJKKO-së, Erjon Bani në fjalën e mbajtur në përurimin e mjedisve të reja të institucionit deklaroi se përurimi i ambienteve të reja të institucionit shënon një standard të ri për drejtësinë shqiptare, duke e cilësuar reformën infrastrukturore si një domosdoshmëri pas 15 vitesh funksionimi intensiv.

Në fjalën e tij, Bani theksoi se drejtësia është një nga shtyllat themelore të shtetit të së drejtës, një garanci për qytetarët një përgjegjësi për funksionet që ushtrojnë institucionet. Ai shtoi se ndërhyrja në infrastrukturë ishte e pashmangshme.

“Sot shënojmë ngritjen e një standardi të ri institucional për Gjykatën e Posaçme, një gjykatë më dinjitoze, më funksionale, më transparente, më të sigurt, më moderne dhe më pranë qytetarit”, u shpreh ai.

Sipas Banit, gjykata është vendi ku qytetari kërkon të drejtën dhe ku ligji merr jetë, ndaj “drejtësia është në shërbim të qytetarit dhe gjykata nuk ekziston për veten e saj, por për besimin publik”.

Ai theksoi se ambienti ku jepet drejtësia është pjesë e vetë cilësisë së saj, ndërsa frymëzimi për këtë transformim, sipas tij, ka ardhur edhe nga përvoja e gjykatave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Infrastruktura gjyqësore është pjesë e kulturës së drejtësisë dhe autoritetit të ligjit. Ky transformim nuk është luks, por domosdoshmëri institucionale dhe përgjegjësi ndaj qytetarit”, deklaroi Bani.

Ai nënvizoi gjithashtu se sallat e gjykimit duhet të garantojnë solemnitet, barazi dhe dinjitet, ndërsa transparenca “nuk është detyrim formal, por pjesë e kulturës institucionale”.

Bani vlerësoi rolin e medias si partner në forcimin e besimit publik dhe theksoi se siguria dhe dinjiteti në procesin gjyqësor nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por bashkëjetojnë.

Në fund, një gjykatë më e sigurt është një gjykatë më e pavarur dhe më funksionale”, përfundoi ai.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *