Nga Redaksia – Një intervistë e fundit e ideologut rus Sergey Karaganov ka rikthyer në vëmendje një realitet të frikshëm që Perëndimi shpesh përpiqet ta minimizojë: në Rusi ekziston një rrymë e fuqishme “skifterësh” që besojnë se përplasja me Europën është e pashmangshme dhe se lufta bërthamore mund të jetë “e fitueshme”.
Karaganov, një nga strategët më të njohur pranë Kremlinit dhe këshilltar historik i elitave ruse, deklaroi hapur se Rusia duhet të jetë e gatshme të përdorë armë bërthamore kundër Europës për të shmangur, sipas tij, një luftë edhe më të madhe në të ardhmen. Ai kërkoi krijimin e një komande të posaçme ushtarake kundër Europës, e cila fillimisht do të përdorte armë konvencionale dhe më pas do të përshkallëzonte konfliktin në nivel bërthamor nëse Europa nuk dorëzohet.
Deklarata e tij më tronditëse ishte:
“Harrojeni marrëzinë se lufta bërthamore nuk mund të fitohet. Ajo mund të fitohet.”
Këto fjalë tregojnë se një pjesë e elitës strategjike ruse nuk e konsideron më armën bërthamore vetëm si mjet parandalues, por si instrument real politik dhe ushtarak.
Karaganov e përshkroi Europën si burimin historik të kolonializmit, racizmit dhe gjenocideve globale. Sipas tij, Europa ka shkatërruar popuj dhe kontinente të tëra, nga Afrika deri në Azi, dhe për këtë arsye Rusia duhet të “izolohet” prej saj ose, në rast ekstrem, ta “shkatërrojë”.
Në retorikën e tij, europianët modernë po “shndërrohen në fashistë gjermanë”, ndërsa elitat europiane po e shtyjnë kontinentin drejt një përplasjeje të madhe me Rusinë.
Ky diskurs nuk është më propagandë periferike interneti. Ai vjen nga një figurë me ndikim real në qarqet strategjike të Moskës, njeri që ka moderuar edhe forume ekonomike dhe politike ku ka marrë pjesë vetë Vladimir Putin.
Karaganov nuk sulmoi vetëm Perëndimin. Ai paralajmëroi edhe ndaj rusëve që mbështesin afrimin me Europën apo negociatat me SHBA-në. Sipas tij, simpatia pro-europiane është “dobësi morale”, “tradhti” dhe “Vlasovizëm”, duke iu referuar bashkëpunëtorëve rusë të nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në mënyrë indirekte, këto deklarata interpretohen si sulm ndaj diplomatëve dhe figurave të Kremlinit që kërkojnë negociata me Perëndimin për Ukrainën.
Megjithatë, Karaganov nuk konsiderohet armik i Putinit. Përkundrazi, ai shihet si kritik konstruktiv brenda kampit patriotik rus. Kjo e bën edhe më të rëndësishme analizën e tij, sepse tregon se çfarë mund të ndodhë nëse nesër në Kremlin vjen një figurë edhe më radikale se Putin.
Një sinjal alarmi për Europën
Mesazhi i Karaganovit është i qartë: Rusia nuk do të pranojë humbjen strategjike në Ukrainë dhe një pjesë e elitës së saj është e gatshme të shkojë deri në fund, edhe me kosto katastrofike për njerëzimin.
Kjo duhet të jetë kambanë alarmi për Europën, e cila prej vitesh ka ndërtuar politika agresive ndaj Lindjes duke ndjekur interesat gjeopolitike të NATO-s dhe SHBA-së, pa menduar seriozisht pasojat për popujt europianë.
Nëse sot Putini shihet si “moderuar” krahasuar me skifterët rusë, atëherë pyetja që shtrohet është: çfarë do të ndodhë nesër nëse në Kremlin ngjitet një lider që mendon si Karaganov?
Bota po hyn në një epokë ku diplomacia po zëvendësohet nga kërcënimet bërthamore dhe ku elitat globale po luajnë me fatin e kombeve. Në këtë realitet të ri, popujt europianë mund të jenë viktimat e para të një lufte që nuk e kanë zgjedhur vetë.
