Alarmohet BE nga teknologjia kineze: Bllokohen fondet për pajisjet diellore që mund të paralizojnë rrjetin energjetik …

Nga Redaksia – Bashkimi Europian ka ndërmarrë një hap të fortë kundër varësisë teknologjike nga Kina, duke bllokuar fondet publike për pajisjet kineze të energjisë diellore, veçanërisht për inverterët që përdoren në instalimet fotovoltaike. Vendimi vjen mes frikës në rritje se infrastruktura energjetike europiane mund të kthehet në objekt manipulimi ose sabotimi nga jashtë.

Sipas Komisionit Europian, këto pajisje konsiderohen tashmë një nga “kërcënimet më urgjente” për sigurinë e infrastrukturës kritike në Europë. Masa pritet të hyjë në fuqi më 1 nëntor dhe prek drejtpërdrejt projektet që financohen nga fondet publike europiane.

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Siobhan McGarry, paralajmëroi se inverterët e importuar nga Kina mund të përdoren për akses të paautorizuar në rrjetet energjetike, duke krijuar mundësinë e ndërprerjeve masive të energjisë elektrike në shkallë kombëtare.

Kjo deklaratë ka ngritur alarmin në shumë shtete europiane, të cilat prej vitesh kanë ndërtuar politika “të gjelbra” duke u mbështetur fort tek teknologjia kineze. Sot, BE-ja po pranon publikisht se kjo varësi mund të kthehet në një rrezik strategjik për sigurinë kombëtare dhe ekonominë.

Aktualisht, Kina kontrollon më shumë se gjysmën e tregut global të inverterëve diellorë, duke dominuar sektorin e energjisë së rinovueshme me çmime të ulëta dhe prodhim masiv. Por Brukseli tashmë synon të reduktojë këtë varësi, duke promovuar prodhues europianë dhe alternativa të tjera jashtë ndikimit kinez.

Vendimi shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë të Bashkimit Europian për të kufizuar teknologjitë e huaja që konsiderohen të rrezikshme për sigurinë, një qasje që ka nisur më herët edhe ndaj rrjeteve 5G dhe kompanive të telekomunikacionit kineze.

Ekspertët paralajmërojnë se lufta për energjinë nuk është më vetëm ekonomike, por tashmë është kthyer në një betejë për kontrollin teknologjik dhe sigurinë kombëtare. Nëse rrjetet energjetike kontrollohen përmes pajisjeve të huaja, atëherë edhe vetë sovraniteti i shteteve vihet në pikëpyetje.

Në një kohë kur Europa promovon tranzicionin e gjelbër, pyetja që shtrohet është: a po zëvendësohet varësia nga gazi rus me një varësi të re teknologjike nga Kina? /Financial Times

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *