KORRUPSION/ Kjo është Shqipëria: 56 studentë për oficerë policie helmohen nga ushqimi në Akademinë e Sigurisë …

Nga Redaksia – Një ngjarje alarmante ka tronditur opinionin publik dje në Tiranë, aty ku të rinjtë që nesër pritet të mbajnë uniformën e shtetit dhe të garantojnë rendin e sigurinë, përfunduan të helmuar masivisht nga ushqimi brenda institucionit që duhet të ishte shembull standardi dhe disipline.

Sipas raportimeve të para të mediave shqiptare u tha se ishin rreth 40 studentë të helmuar në Akademinë e Sigurisë. Por burime të verifikuara flasin për një numër edhe më të rëndë: plot 56 studentë të programit për oficerë policie kanë shfaqur simptoma helmimi ushqimor dhe kanë marrë ndihmë mjekësore.

Pamjet e publikuara dje janë tronditëse. Studentë të shtrirë në tokë, ambulanca që transportojnë të rinjtë me barrelë dhe kaos total në ambientet e Akademisë së Sigurisë. Këta nuk janë qytetarë të zakonshëm në një lokal privat. Këta janë studentët që po trajnohen për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e shqiptarëve.

Pyetja që shtrohet është e thjeshtë dhe e rëndë njëkohësisht:

Si është e mundur që në një institucion shtetëror të sigurisë kombëtare të ndodhë një helmim masiv nga ushqimi?

Sepse Studentët e prekur nga helmimi kanë shfaqur simptoma të rënda, si të vjella dhe dhimbje të forta barku. Pas paraqitjes në spital, ata kanë marrë trajtim mjekësor, serume dhe më pas janë larguar.

Akademia e Sigurisë ka një kontratë me kompaninë private Sori-Al, që ofron shërbimin katering për 3 vaktet për studentët. Kompania Sori Al ka administratore Alma Tafanin, gruan e Nikolin Jakës, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

Nikolin Jaka ka pasur 50% të aksioneve nga viti 2004 deri në vitin 2007 në kompaninë “Sori Al” të cilën tashmë e administron gruaja e tij.

Deri në fund të vitit 2025, kompania Sori-Al rezulton si fituese e 75 tenderave publikë, me vlerë totale 4.2 miliardë lekë.

Në dhjetor të vitit 2025, Operatori i Blerjeve të Përqendruara i drejtuar nga Arlinda Pogaj shpalli fitues kompaninë “Sori AL” për tenderin me fond limit 2.8 milionë euro për “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi të punonjësve të Policisë së Shtetit, studentëve dhe të kursantëve në Akademinë e Sigurisë”.

Kontrata e shërbimit është për një afat kohor 36 muaj (3 vjet).

Në një reagim zyrtar, policia bën me dije se ka vënë në pranga Kujtim Ballgjini, 52 vjeç dhe Kristjana Plaka, 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë Sori-Al, e cila ishte e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë.

Nën hetim është vënë shtetasja R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani, ndërsa në kërkim është shpallur administratorja Alma Tafani.

Në vend që të kemi standarde europiane në akademitë shtetërore, shohim skena që ngjajnë me një emergjencë humanitare.

Kjo nuk është vetëm një ngjarje.
Kjo është fotografia reale e degradimit të institucioneve në Shqipëri.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *