Nga Redaksia:
Në Fier po ndizet sërish një debat që në pamje të parë duket identitar dhe spontan, por në thelb është thellësisht politik dhe me prapavijë pushteti: kush i drejton institucionet dhe pse ka kaq shumë zhurmë rreth faktit nëse drejtuesit janë apo jo fierakë.
Ky debat nuk ka lindur rastësisht. Ai është produkt i një momenti të brishtë politik, ku ambicie të vjetra po përpiqen të materializohen duke shfrytëzuar një “hall” ligjor në majë të piramidës së pushtetit.
Nuk ka vakum, ka përplasje për kontroll
Së pari duhet thënë qartë: në Fier nuk ka vakum pushteti. Ajo që po ndodh nuk është mungesë drejtimi, por një përplasje e heshtur për kontroll.
Pezullimi i Belinda Ballukut dhe çështjet e saj ligjore kanë krijuar një hapësirë të re politike. Pikërisht këtë hapësirë po përpiqet të shfrytëzojë Armando Subashi për të dalë nga “hija” ku ishte shtyrë vitet e fundit.
Pas një “mbretërimi” të gjatë politik dhe administrativ pa sfidë reale, për Subashin problemet erdhën dallgë-dallgë: hetimet për inceneratorët, çështja e parkingut në qendër, zëra për shkelje etike dhe përfitime financiare, kritika për mungesë empatie dhe arrogancë administrative.
Më pas erdhi caktimi i Belinda Ballukut si drejtuese politike për Fierin. Me një lëvizje të shpejtë politike, ajo i faturoi Subashit pothuajse të gjitha pakënaqësitë e brendshme në PS dhe në qytet, duke krijuar perceptimin se Partia Socialiste mund të fitonte lehtësisht edhe pa të. Një goditje që për shumëkënd dukej fatale për karrierën e tij.
Sot, i “internuar” politikisht, Subashi kërkon rikthimin jo si reformator, por si alternativë stabiliteti në një moment lëkundjeje.
Por pyetja është: a ja vlen ky riciklim?
Buxheti 2026: një bashki që mbijeton, jo që zhvillon
Pa hyrë në analiza të gjata performance, mjafton një vështrim i thjeshtë mbi shifrat e buxhetit të Bashkisë Fier për vitin 2026.
Nga rreth 30 milionë euro buxhet total:
- vetëm 4 milionë euro parashikohen për investime reale,
- ndërsa 26 milionë euro shkojnë për paga dhe shpenzime operative.
Ky raport është alarmant. Ai tregon një bashki që nuk ndërton, por mbijeton; që nuk zhvillon, por ushqen vetveten.
Edhe më problematike është mënyra si përdoren shpenzimet operative. Brenda këtij zëri krijohet një hapësirë e madhe kontrolli: investime të maskuara, ndërhyrje selektive, fleksibilitet i lartë në shpërndarjen e fondeve. Ndryshe nga tenderat e hapur – ku ka më shumë sy, ankesa dhe kontroll – shpenzimet operative ofrojnë një terren më të sigurt për menaxhim të brendshëm dhe përfitime indirekte.
Kjo skemë ka 11 vite që funksionon pothuajse e patrazuar.
Nëse gjykojmë nga modeli i ndjekur deri sot, Subashi shfaqet si një drejtues që ka ditur të mbajë pushtetin dhe ta kapitalizojë atë politikisht dhe administrativisht. Në këtë moment, shqetësimi i tij kryesor duket të jetë zgjatja sa më shumë e këtij cikli.
Narrativa e “fierakëve” – një perde tymi?
Në këtë klimë shpërthen edhe narrativa se “Fieri nuk drejtohet nga fierakët”.
Faktet tregojnë se shumë drejtues lokalë janë nga vetë qarku. Problemi real nuk është origjina gjeografike e drejtorëve, por përjashtimi institucional i Fierit në nivel qendror dhe mungesa e peshës kombëtare.
Paradoksi është i qartë:
Fieri është bastion elektoral i mazhorancës, prodhon 12 mandate parlamentare, por nuk prodhon ministra, zëvendësministra apo drejtues të rëndësishëm kombëtarë. Ai shërben si rezervuar votash, jo si burim pushteti. Importon drejtues, por nuk eksporton ndikim.
Nga ana ekonomike, investimet ekzistuese – Albpetrol, Bankers, fotovoltaikët, disa korporata private – nuk kanë arritur të krijojnë një transformim të prekshëm në punësim dhe mirëqenie. Projekti i Semanit pritet si zhvillim i madh, por edhe aty roli i fierakëve rrezikon të mbetet periferik.
Balluku: rrezik apo mundësi për Fierin?
Ardhja e Belinda Ballukut si drejtuese politike, përtej çështjeve të saj me drejtësinë – që janë kompetencë e institucioneve – nga pikëpamja e aksesit në fonde dhe ndikim qendror mund të përbënte një mundësi reale për Fierin.
Ajo ka peshë në qeveri, akses në investime dhe ndikim në projekte strategjike. Nëse do ta përdorte këtë peshë për qytetin, Fieri mund të përfitonte një impuls të ri.
Por gjithçka varet nga beteja e saj personale dhe nga vendimi nëse do të përballet frontal me strukturat ekzistuese në Fier apo do t’i lërë ato sërish në dorë të Subashit.
Kush do fitojë?
Në këtë përplasje, beteja nuk është thjesht mes dy individëve. Është mes dy modeleve:
- modeli i riciklimit dhe mbajtjes së pushtetit me mekanizma të brendshëm administrativë;
- ose modeli i përdorimit të peshës qendrore për të sjellë investime reale dhe ndryshim konkret.
Fieri nuk ka nevojë për narrativa identitare, as për rikthime taktike. Ka nevojë për transparencë buxhetore, investime reale dhe drejtim që shkon përtej mbajtjes së karriges.
Kushdo që tenton të rikthehet duke shfrytëzuar “kusurin” e tjetrit, pa ofruar një ndryshim real, rrezikon të zgjasë të njëjtin model që për 11 vite nuk e ktheu Fierin në një pol zhvillimi, por e la në stanjacion.
Lufta për Fierin sapo ka nisur.
Pyetja mbetet: do të fitojë pushteti personal, apo zhvillimi i qytetit?
