Deklaratë nga nisma Shqipërianukshitet.com: Koha e heshtjes ka mbaruar, qytetarët kërkojnë fundin e grabitjes së Shqipërisë …

Nga Redaksia – Nisma qytetare shqipërianukshitet.com ka publikuar një deklaratë të fortë publike, ku kërkon fundin e modelit 35-vjeçar të qeverisjes që, sipas saj, ka dëmtuar pronën private, pasuritë kombëtare dhe interesin publik të shqiptarëve.

Në deklaratë theksohet se protesta qytetare nuk është një lëvizje politike, por një reagim kombëtar kundër shkatërrimit të pronës dhe dhënies së pasurive strategjike në duart e interesave klienteliste dhe oligarkike.

Sipas organizatorëve, pas më shumë se tre dekadash tranzicion, Shqipëria ndodhet përballë një momenti vendimtar, ku qytetarët kërkojnë rikthimin e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e territorit, trashëgimisë kulturore dhe pasurive natyrore të vendit.

Deklarata paraqet disa kërkesa të qarta dhe të panegociueshme:

  • Dorëheqjen e qeverisë;
  • Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investitorët strategjikë;
  • Shfuqizimin e Paketës së Maleve;
  • Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura;
  • Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Përfaqësuesit e nismës deklarojnë se këto kërkesa nuk lidhen me interesa partiake, por me mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve dhe të interesit kombëtar.

“Ne nuk pranojmë negociata mbi të drejtat themelore të qytetarëve dhe mbi pasuritë që u përkasin të gjithë shqiptarëve”, thuhet në deklaratë.

Në fund të reagimit, nisma u bën thirrje shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që të bashkohen në protestë dhe në rezistencën qytetare kundër asaj që e cilëson si një kastë politike të korruptuar që ka cenuar interesat kombëtare.

“Koha e heshtjes ka mbaruar. Koha për veprim ka ardhur. Shqipëria u përket qytetarëve të saj”, përfundon deklarata e nismës qytetare.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *