Nga Redaksia:
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka depërtuar në një nga skemat më të rënda të dyshuara të krimit ekonomik-financiar në Shqipëri. Në qendër të hetimeve ndodhet grupi “Bolv Oil”, me figurë kyçe pronarin e tij, Behar Çukaj, emër i njohur prej vitesh në dosje të ndryshme për evazion fiskal, kontrabandë karburantesh dhe pastrim parash.
Dosja “Bankers” dhe nyja Çukaj
Behar Çukaj rezulton personazh qendror në dosjen “Bankers”, tashmë nën juridiksionin e SPAK, e klasifikuar si çështje e grupit të strukturuar të korrupsionit dhe krimit ekonomik. Sipas materialeve hetimore, përmes kontratave fiktive me kompaninë “Bankers”, janë qarkulluar mbi 300 milionë euro, të fshehura përmes faturave TVSH-je të rreme, punëve të pakryera dhe transfertave të kamufluara.
Hetimet fillestare kishin konstatuar rreth 10 milionë euro qarkullim fiktiv me dokumente tatimore false. Por thellimi i hetimit nga BKH ka zbuluar edhe 310 milionë euro të tjera, të cilat dyshohet se janë përvetësuar dhe pastruar nga Behar Çukaj në bashkëpunim me “Bankers”, duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm kolosal.
Transport “fantazmë” dhe grabitje fiskale
Që prej vitit 2008, “Bankers” kishte kontraktuar “Bolv Oil” për transportin e naftës përmes kompanisë “BOLV TRANS” sh.p.k. Ironikisht, kjo kompani u krijua vetëm në mars 2011, tre vite pas lidhjes së kontratës, dhe u mbyll po atë vit në dhjetor. Megjithatë, deri në qershor 2025, ajo vijonte aktivitetin pa licencë, duke deklaruar shërbime dhe lëshuar fatura TVSH-je për punë të pakryera, duke vjedhur miliona euro nga buxheti i shtetit.
Vjedhje nafte dhe pushime hetimesh
Në dosjen hetimore përfshihet edhe vjedhja e 1.3 milionë litrave naftë nga depot shtetërore të “Albpetrol”. Për këto episode, Behar Çukaj është proceduar katër herë gjatë viteve 2014–2021, por çështjet janë pushuar nga Prokuroria e Fierit, duke ngritur dyshime serioze për mbrojtje institucionale dhe ndërhyrje politike.
120 milionë euro beton në Farkë
Gjurmët e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme e kanë çuar BKH-në te një investim gjigant: 120 milionë euro për blerjen e rreth 50 mijë m² tokë në Farkë, e dyshuar si e grabitur përmes falsifikimit të dokumenteve të pronësisë. Mbi këtë tokë është ndërtuar kompleksi luksoz “Tulipan”, ku sipas hetimeve disa vila janë përfituar nga politikanë të korruptuar dhe persona të lidhur me krimin e organizuar.
Universitet si lavatriçe parash
Më 17 shtator 2021, Behar Çukaj themeloi “Kolegji Alma Mater Europaea Campus College Rezonanca”, me aktivitet në fushën e arsimit mjekësor. Sipas raportit hetimor, gjatë rreth një viti aktivitet pa licencë, kjo strukturë është përdorur për pastrimin e rreth 60 milionë eurove, përpara se të mbyllej pa dorëzuar bilance financiare.
Rrjeti familjar dhe kompanitë satelitë
Hetimet zbulojnë se Behar Çukaj ka përdorur në mënyrë sistematike edhe kompani të tjera për transferta ilegale, bilance false dhe pjesëmarrje fiktive në tenderë publikë. Mes tyre përmendet “Olsi” sh.p.k., e regjistruar në emër të djalit të tij, Olsi Çukaj, i cili në vitin 2017 u kandidua për deputet në listat e PD-së. Në total, në 154 raste janë dokumentuar abuzime financiare përmes kësaj kompanie.
Skema e pastrimit të parave shtrihet edhe te firmat “R.C. RIRA”, “INBI”, “SH.R.S.F. OLSI” dhe “B&O Construction”, duke ndërtuar një rrjet kompleks që për vite me radhë ka funksionuar nën hijen e pandëshkueshmërisë.
Për më shumë se 15 vite, Behar Çukaj ka arritur t’i shpëtojë drejtësisë përmes lidhjeve me segmente të politikës, pushtetit dhe drejtësisë, si dhe përmes ryshfeteve. Sot, me dosjen e marrë në dorë nga SPAK dhe me hetime të thelluara të BKH-së, rasti “Bolv Oil” paraqitet si një test i fortë për drejtësinë e re:
a do të guxojë ajo të godasë një nga skemat më të mëdha të krimit ekonomik në sektorin e hidrokarbureve, apo gjithçka do të mbyllet sërish në sirtarë?
