Nga Kastriot Çipi:
Brenda 51 ditëve, në fundin e dimrit të vitit 1848, Zvicra, e dalë nga një luftë civile, hartoi Projekt-Kushtetutën që do ta ndryshonte përgjithmonë atë vend.
Pas 51 ditëve protestash në Shqipëri, për asnjërën nga 5 kërkesat e protestuesve, zgjidhja nuk duket në horizont.
Çfarë duhet bërë? Të vazhdohet me protesta? Deri kur? Këtë askush nga anëtarët e grupit koordinator, shumica e të cilëve nuk pranojnë as të identifikohen si të tillë, nuk dinë ta thonë.
Ndërkohë, ata vazhdojnë të ngulin këmbë se nuk pranojnë negociata. Madje zotohen se do të shpallin tradhtar cilindo që kërkon negociata.
51 mbrëmje protestash disa-orëshe. Më masivet në historinë e Shqipërisë. Më paqësoret, gjithashtu. Rama tregoi se nuk është një udhëheqës demokrat, europian, perëndimor. Nuk dha dorëheqjen. Por ky nuk është lajm. Protestuesit e dinin kush është Rama dhe pikërisht për këtë arsye dolën në protestë.
Po tani, si i bëhet?
Do ta rrëzojë SPAK-u, të thotë dikush. Po punon fort Gjermania prapa kuintave. Kongresi Amerikan do ta hetojë për trafik ndërkombëtar droge. Ah, sa mirë! Domethënë, përveçse do të rrëzohet nga pushteti, do të shkojë edhe në burg. Pra, mund të shkojmë të gjithë në plazh, të shijojmë pushimet të qetë. Në shtator mund t’i kthehemi punëve të përditshme, se Rama nuk do të jetë në zyrë.
Një tjetër të thotë se mund ta ngrijmë protestën, si pulën në frigorifer, dhe ta shkrijmë në shtator, kur njerëzit janë kthyer nga pushimet me bateri të rimbushura. T’ia nisim një valë të re protestash masive dhe atëherë Rama do të rrëzohet në tetor. Po mirë, me bateri të rimbushura mund t’i mbajmë edhe 51 protesta të tjera.
Dikur, dikush u tall me Edisonin, kur eksperimenti i tij për prodhimin e llambës elektrike dështoi për herë të 100-të.
– Çfarë ke arritur deri tani? – e pyeti ai shpikësin e famshëm.
– Kam kuptuar 100 mënyra se si nuk bëhet llamba elektrike – ishte përgjigjja e Edisonit.
Në fakt, Edisonit iu deshën shumë më tepër eksperimente për të arritur suksesin. Sipas regjistrave të fabrikës së tij, u kryen 2.774 të tilla. Por në çdo eksperiment, Edisoni ndryshonte diçka.
Në të kundërt, ai nuk do të kishte arritur kurrë ta prodhonte llambën elektrike. Thjesht do të kishte qenë vërtetimi i aksiomës që gabimisht i atribuohet Ajnshtajnit, se “është çmenduri të bësh të njëjtat veprime dhe të presësh rezultate të ndryshme”.
Unë do t’ia kisha dhënë të gjithë mbështetjen time një grupi koordinator që provon me 1.000 mënyra të ndryshme të rrëzojë Ramën, por nuk jam i çmendur të besoj se pas 51 provash me të njëjtën mënyrë, do të mjaftojnë edhe 101 prova të tjera, po me të njëjtën mënyrë, që Rama të rrëzohet.
Ndjesë, të dashur miq! Jua kam thënë që në ditën e parë: Rama nuk rrëzohet vetëm me protesta paqësore në bulevard!
Atëherë, cila është zgjidhja?
Zgjidhja kurdoherë janë numrat. Sot për sot, Rama ka 82 vota të partisë së vet, plus 3 të Tom Doshit, që i mjaftojnë për të mos u rrëzuar me mocion mosbesimi dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme edhe nëse rrëzohet me mocion mosbesimi. Lexoni Kushtetutën, të dashur miq. Jo atë që keni votuar ju në 1998-n. Atë që kemi në fuqi. Atë që kanë votuar Rama & Berisha dhe kukullat e tyre në vitin 2008.
Doni ta rrëzoni duke kufizuar mandatet e kryeministrit në jo më shumë se dy? Teorikisht është e mundur. Mjafton një amendament kushtetues. Por kjo Kushtetutë që kemi nuk ndryshohet pa votat e Berishës dhe Ramës dhe kukullave të tyre. Duhen 94 vota për amendamentet kushtetuese.
Besoni vërtet se Berisha do të votojë pro një amendamenti që i heq atij vetë të drejtën për t’u bërë kryeministër në të ardhmen? Unë jo.
Përpara se ta mbyll këtë argument, më lejoni të bëj avokatin e djallit.
Berisha dhe Rama, së bashku, kanë marrë në zgjedhjet e fundit 34,5% të votave të shqiptarëve. Jeni të sigurt se protesta përfaqëson 35% të shqiptarëve? Bukuri!
Atëherë, pse nuk kërkoni një Kushtetutë të re, të hartuar nga ju, jo nga Rama e Berisha dhe të miratuar me referendum?
Pse nuk kërkoni një ligj për referendumet, sipas të cilit nuk ka asnjë kufizim për numrin e pjesëmarrësve, për numrin e votave pro, për afatin, llojin dhe tematikën, përfshi edhe amendamentet kushtetuese?
Pse nuk kërkoni që procesi i votimit dhe numërimit të votave të administrohet nga një trupë komisionerësh, të përbërë nga të paktën 50% përfaqësues të palës propozuese të referendumit?
Nëse bëhen këto, brenda vitit Rama nuk është më kryeministër dhe Berisha nuk do të jetë pasuesi i tij.
Por nëse Rama e Berisha dhe kukullat e tyre refuzojnë të na japin sovranitetin që na takon, si e drejtë natyrore (dhe hyjnore, po të doni), ata jo vetëm nuk do të kenë asnjë argument për ta mbrojtur vendimin e tyre, por do të braktisen nga elektorati i tyre, madje edhe nga të gjithë aleatët e tyre ndërkombëtarë (nga halli).
Dhe atëherë revolucioni i dhunshëm do të jetë i drejtë dhe i justifikuar në çdo pikëpamje!
Asnjë pushtet nuk i mohon dot një populli të drejtën për të qenë sovran, në tokën që etërit e tij e kanë larë me gjak.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

