Nga Redaksia – Një grup qytetarësh të përfshirë në protestën kundër qeverisë zhvilluan sot një deklaratë publike, ku njoftuan se kanë depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe tejkalim të kompetencave ligjore.
Përfaqësuesi ligjor avokat Altin Goxhaj deklaroi se, gjatë marshimit drejt institucioneve shtetërore, vumë re një prani të shtuar të forcave të policisë pranë Parlamentit, ndonëse, sipas tyre, nuk ishte njoftuar asnjë protestë në atë zonë.
Nuk kishim lajmëruar protestë para Parlamentit, megjithatë ai ishte i rrethuar nga forca të shumta policie. Kjo tregon se pushteti po vepron nën frikë dhe se protesta po ushtron presion mbi të”, u shpreh Goxhaj.
Në deklaratë e lexuar nga avokati Goxhaj u kundërshtua publikisht pretendimet se mund të hetohen rreth 10 mijë qytetarë për komentet apo veprimet e tyre në rrjetet sociale në kuadër të bojkotit ekonomik.
Sipas Goxhaj, Kodi Penal nuk parashikon përgjegjësi penale për publikimin e komenteve apo vlerësimeve negative ndaj bizneseve, ndërsa interpretimi i nenit 123/b, sipas tyre, lidhet vetëm me mashtrimet kompjuterike dhe krimet financiare.
Avokati Goxhaj i’u referua edhe materialeve shpjeguese të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, ku renditen format e mashtrimeve kompjuterike si phishing, skemat Ponzi, mashtrimet me investime, komprometimi i postës elektronike të bizneseve dhe forma të tjera të krimit kibernetik, por jo publikimi i komenteve apo thirrjeve për bojkot.
“Pretendimi se qytetarët mund të ndiqen penalisht për komente në internet nuk mbështetet në dispozitat e Kodit Penal”, deklaruan përfaqësuesit e protestës.
Në kallëzimin për në SPAK, organizatorët kërkojnë:
- regjistrimin e procedimit penal ndaj drejtorit të Policisë së Shtetit për shpërdorim detyre;
- verifikimin nëse ekziston një procedim penal për identifikimin e rreth 10 mijë qytetarëve;
- administrimin e çdo dokumentacioni që lidhet me urdhrat e Policisë së Shtetit për mbledhjen e të dhënave të qytetarëve;
- verifikimin nëse janë kërkuar të dhëna nga platformat dixhitale ose rrjetet sociale;
- hetimin nëse janë respektuar garancitë kushtetuese dhe procedurat ligjore për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave personale.
Sipas Goxhaj, nëse një operacion i tillë është zhvilluar pa bazë ligjore, ai përbën një nga rastet më serioze të cenimit të të drejtave të qytetarëve në Shqipëri.
Gjatë deklaratës, avokati Goxhaj argumenton gjithashtu se, sipas legjislacionit shqiptar, veprat që lidhen me shpifjen nuk ndiqen kryesisht nga prokuroria, por nisin vetëm me kallëzim të palës së dëmtuar në gjykatë.
Goxhaj pretendon se çdo procedim penal që nuk respekton këtë procedurë bie ndesh me parimin e legalitetit dhe të sigurisë juridike.
Në mbyllje të deklaratës, Goxhaj rithekson se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke kërkuar,, respektimin e Kushtetutës, të drejtave themelore të qytetarëve dhe zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

