Kush e solli Ivanka Trump në Tiranë – Dhe pse Rama bëri një operacion propagandistik …

Nga Redaksia:

Në politikë ka momente kur realiteti është aq i ashpër, sa pushteti detyrohet të shpikë skena, role dhe personazhe për të mbijetuar. Vizita e Ivanka Trump në Shqipëri ishte pikërisht një nga këto momente: jo një ngjarje shtetërore, jo një akt diplomatik, por një operacion i pastër propagandistik, i ndërtuar për të mbuluar një dështim të madh politik të Edi Ramës në arenën ndërkombëtare.

Pas rreth 36 orësh spektakël mediatik, Ivanka Trump është larguar në heshtje. Aq në heshtje, saqë edhe media rilindase, që deri dje transmetonte çdo hap, çdo buzëqeshje dhe çdo kafe, sot nuk raporton më asgjë. Dhe kjo është shenja më e qartë se shfaqja mbaroi, perdet u mbyllën dhe aktorja u largua nga skena.

Por Rama e kishte marrë atë që donte.

Ai e shfrytëzoi këtë vizitë deri në pikën e fundit, duke e shndërruar në një narrativë sentimentale për konsum popullor: se Ivanka Trump nuk ishte në Shqipëri për biznes, por për “besë”, “miqësi” dhe “kujdes personal”. Sipas kësaj përralle, Donald Trump i kishte besuar Ramës gjënë më të shtrenjtë në jetë — vajzën e tij — ndërsa vetë Rama sakrifikoi Davosin për të qenë “mik”.

Një fabul që u besua vetëm nga një pjesë e militantëve të trullosur dhe nga figura periferike të propagandës si Toni Gogu, i cili u shfaq si dëshmitari më i bindur i këtij “akti nderi”.

Le ta themi qartë: brenda PS-së askush serioz nuk e beson këtë histori. Elisa Spiropali, Taulant Balla, Belinda Balluku dhe të tjerë e dinë shumë mirë pse Rama nuk ishte në Davos. Ata e dinë se problemi nuk ishte mungesa e kohës, por mungesa e aksesit. Por roli i tyre është të heshtin dhe të luajnë teatrin.

E vërteta është më e thjeshtë dhe më e hidhur për Ramën: Donald Trump ende nuk e konsideron të denjë për t’u ulur në të njëjtën tryezë. Për këtë arsye, në Davos, vendin e Ramës e zuri Vjosa Osmani, ndërsa për Ramën u ndërtua një skenografi dytësore në Tiranë, larg qendrës së vendimmarrjes globale.

Ky është tregues i qartë se rreth Ramës ekziston ende një perimetër sigurie politik, të paktën për momentin. Më vonë mund të ndryshojë, por sot realiteti është ky.

Opozita, për herë të rrallë, arriti ta çmontojë pjesërisht propagandën. Por la një gjë thelbësore pa thënë publikisht:

Ivanka Trump nuk erdhi rastësisht.
As nga miqësia.
As nga besimi.

Komerdarja e shpëtimit politik për Ramën këtë herë ka një emër dhe mbiemër: Richard Grenell.

Një figurë e errët, një matrapaz i klasit botëror i lobimit ndërkombëtar, dikur i shitur si kandidat për Sekretar Shteti, sot i shndërruar në tregtar ndikimi. I gjithë spektakli i 36 orëve në Shqipëri u ndërtua nga Grenell, me garanci financiare nga Shefqet Kastrati, hambari i përhershëm i parasë së Ramës.

Kjo duhet thënë hapur, pa frikë dhe pa dorashka, që publiku të kuptojë se asgjë nuk është spontane në këtë regjim. Çdo figurë “e madhe” që shfaqet papritur në Tiranë ka një çmim, një ndërmjetës dhe një qëllim.

Dhe që herë tjetër, shqiptarët të mos nxitojnë të krijojnë idhuj të rinj, sharlatanë ndërkombëtarë, që Edi Rama i blen rrugës për dy aspra, vetëm për të zgjatur edhe pak iluzionin e pushtetit të tij.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *