Nga Redaksia PatriotikMedia.al
Në një tjetër betejë ligjore që mban gjallë shpresën për mbrojtjen e vlerave familjare në Shqipëri, Avokati Altin Goxhaj ka shënuar një fitore të rëndësishme në Gjykatën Administrative të Tiranës. Me përfaqësimin e Studios Ligjore Aga & Goxhaj Law Firm, ai fitoi gjyqin kundër Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe disa organizatave LGBTQ, të cilët kërkonin që ai të kërkonte falje publike për qëndrimet e tij të mëparshme në mbrojtje të fëmijëve dhe familjes.
Çështja lidhej me ndalimin, tri vite më parë, të shfaqjes së filmit “Strange World” të prodhuesit Walt Disney në Kinema Millennium. Filmi, që u promovua si një vepër progresiste, përmbante mesazhe të hapura për normalizimin e homoseksualitetit te fëmijët. Me ndërhyrjen e Koalicionit Shqiptar Pro Familjes & Jetës, ku Goxhaj ka qenë një nga zërat më aktivë, u arrit që filmi të mos shfaqej për fëmijët shqiptarë.
Pala paditëse, përfshirë Komisionerin e lidhur me fondacionet e financuara nga George Soros dhe përfaqësues të shoqërisë civile si Xheni Karaj, kërkonte nga Goxhaj që të kërkonte falje për “diskriminim” dhe “gjuhë urrejtjeje”. Por siç u provua në sallën e gjyqit, Goxhaj nuk kishte bërë gjë tjetër veçse kishte ushtruar të drejtën e tij për të mbrojtur vlerat tradicionale dhe për të kritikuar një axhendë ideologjike që po i imponohet shoqërisë shqiptare përmes fëmijëve.
Ironikisht, si Komisioneri ashtu edhe përfaqësuesit e organizatave LGBTQ nuk u paraqitën fare në seancën përfundimtare të gjykimit. Sipas vetë Goxhajt, arsyeja ishte e thjeshtë: “Nuk e përballonin emocionalisht humbjen e radhës.”
Kjo fitore nuk është vetëm një çështje personale për Goxhajn, por një precedent i rëndësishëm për të gjithë ata që ndihen të kërcënuar nga radikalizmi ideologjik që vjen nën petkun e “tolerancës” dhe “diversitetit”. Ajo tregon se edhe në një Shqipëri të kapur nga fondacionet e huaja dhe ideologjitë globaliste, ende ka vend për zëra të lirë dhe për drejtësi.
Në një kohë kur politika është e nënshtruar ndaj axhendave ndërkombëtare dhe ambasadat heshtin përballë deformimit të vlerave qëndrore të shoqërisë, fitorja e Avokatit Goxhaj është një rreze shprese për të gjithë ata që besojnë se familja është gurthemeli i kombit dhe se fëmijët meritojnë të rriten pa indoktrinim ideologjik.
PatriotikMedia.al do të vazhdojë të ndjekë nga afër çdo betejë ku vlerat kombëtare, familjare dhe qytetare janë në rrezik. Sepse një shoqëri që nuk mbron fëmijët e saj, nuk ka të ardhme.
NDIQNI MESAZHIN: AVOKATI GOXHAJ FITON GJYQIN E RADHËS PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE KUNDËR KOMISIONERIT TË LGBQ
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.