Vetëdijësohuni, parti dhe deputetë shqiptarë! Boll më me pushtet pa barazi!
Vetëdijësohuni, parti dhe deputetë shqiptarë! Boll më me pushtet pa barazi!
Nga Dr. Adil Mustafa – Manastir, 22 nëntor 2026
Shqiptarët nuk mund të jenë vetëm numra për të mbajtur qeveritë në këmbë!
Fjalimi i Mevlan Ademit nga Tetova në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, për çështjen e gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për të gjithë politikën shqiptare.
Prej më shumë se 35 vitesh, partitë politike shqiptare marrin pjesë në qeverisjen e Maqedonisë. Por pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: A kemi arritur barazinë e plotë politike, kushtetuese dhe gjuhësore që meritojnë shqiptarët autoktonë?
Vetëdijësohuni! Boll më!
U bëj thirrje të gjithë deputetëve dhe partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut:
Nëse nuk pranohen të drejtat tona të barabarta, mos e mbani më në këmbë një sistem që nuk garanton barazinë tonë!
Le të shqyrtohet si qëndrim i përbashkët politik largimi kolektiv i deputetëve shqiptarë nga Parlamenti, ministrave nga Qeveria dhe përfaqësuesve shqiptarë nga institucionet shtetërore, deri në hapjen e një procesi serioz kushtetues që garanton barazinë e plotë të shqiptarëve.
Nuk mund të jesh pjesë e pushtetit vetëm për të ndarë poste, ndërkohë që çështjet themelore kombëtare mbeten të pazgjidhura.
Cilat janë zgjidhjet?
- Shqiptarët të njihen si popull shtetformues në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
- Gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare e barabartë në të gjithë territorin e shtetit, me zbatim të plotë në çdo institucion.
- Të ndërtohet një sistem i vërtetë i përfaqësimit dhe vendimmarrjes së barabartë.
- Të hapet rruga për një Parlament me dy dhoma, ku shqiptarët të kenë përfaqësim dhe garanci kushtetuese.
- Të shqyrtohet federalizimi ose, nëse arrihet marrëveshje politike, një model konfederal brenda kufijve ekzistues të shtetit.
Dhe nëse partitë politike maqedonase refuzojnë barazinë e vërtetë?
Atëherë partitë politike shqiptare duhet të ulen së bashku, pa dallime partiake, dhe të shqyrtojnë edhe alternativat e tjera politike e kushtetuese, përfshirë platformën historike të Republikës së Iliridës, të shpallur në referendumin e vitit 1992.
Të hapet një debat kombëtar për një model të ri organizimi politik, me Parlament dydhomësh, federalizim ose konfederalizim, gjithmonë përmes mjeteve demokratike, paqësore dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Pa shqiptarët nuk mund të ndërtohet një Maqedoni e qëndrueshme dhe funksionale!
Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë barazi, respekt, dinjitet dhe njohjen e rolit të tyre historik në këtë shtet.
Një thirrje edhe për Tiranën zyrtare!
Shteti shqiptar duhet të dalë nga diplomacia e deklaratave dhe të marrë përgjegjësinë që i takon.
Neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e përcakton qartë detyrimin e shtetit për të mbrojtur të drejtat kombëtare të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të tij.
Kërkojmë që Shqipëria të jetë zë i fuqishëm diplomatik për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në të gjitha trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë.
Mesazhi im për të gjithë politikanët shqiptarë:
Mos e ngatërroni pushtetin me dinjitetin kombëtar! Mos e ngatërroni postin ministror me barazinë! Mos e sakrifikoni të ardhmen e shqiptarëve për jetëgjatësinë e një qeverie!
Historia nuk do t’ju gjykojë për numrin e ministrive që keni pasur, por për atë që keni arritur për popullin tuaj.
Më mirë një qëndrim dinjitoz në opozitë, sesa një pushtet pa barazi!
Shqiptarët kanë histori, identitet, gjuhë dhe dinjitet. Kanë të drejtë të kërkojnë një shtet ku të jenë të barabartë në çdo institucion dhe në çdo vendimmarrje.
Barazi e plotë – gjuhë e barabartë – dinjitet kombëtar!
© Copyright of PatriotikMedia.al


