Durrësi po e harron tërmetin e 2019-ës, ndërhyrjet e paligjshme në pallate rikthejnë frikën për sigurinë e ndërtesave …
Nga Redaksia – Gati shtatë vjet pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, që shkaktoi 51 viktima, qindra të plagosur dhe dëme të mëdha materiale, Durrësi po përballet sërish me ndërhyrje të pakontrolluara në pallate, ndërsa kontrollet dhe masat për ndërtimet e paligjshme duket se kanë mbetur larg nivelit të nevojshëm.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) nxjerr në pah mangësi serioze në punën e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Durrës, duke evidentuar qindra raste ku vendimet për prishjen e ndërtimeve të paligjshme nuk janë shoqëruar me veprime konkrete për zbatimin e tyre.
Ndërkohë, ndërhyrjet në dyqanet e kateve të para, në ambientet e shërbimit dhe në apartamentet e banimit vazhdojnë të shtojnë shqetësimin për sigurinë e godinave, në një qytet që ende nuk i ka harruar pasojat e tragjedisë së nëntorit 2019.
Pas tërmetit, ekspertët paralajmëruan se ndërhyrjet e pakontrolluara në strukturat e pallateve, veçanërisht heqja apo ndryshimi i elementëve të ndërtesave, mund të rëndojnë pasojat e një fatkeqësie natyrore.
Por, sipas specialistëve, këto paralajmërime duket se nuk kanë shërbyer për të parandaluar rikthimin e të njëjtave problematika.
Inxhinieri Alier Cara e konsideron këtë fenomen si tregues të një kujtese të shkurtër kolektive, ku tragjeditë harrohen shpejt dhe interesat ekonomike marrin përparësi ndaj sigurisë.
“Ndërhyrjet e tanishme në godina janë tregues se ne e kemi kujtesën të shkurtër dhe se i kemi harruar shpejt pasojat e fatkeqësisë”, deklaron Cara.
Sipas tij, ndryshimet e planimetrive në ambientet e shërbimit justifikohen shpesh me argumentin se tërmetet e forta në Durrës ndodhin mesatarisht një herë në 100 vjet.
“Duket sikur qyteti ka fituar një amnisti nga tërmetet, por kjo bëhet thjesht për të justifikuar ndërhyrjet në banesat e ndërtuara në kohë të ndryshme në qytetin antik”, shprehet inxhinieri.
Shqetësimet e ekspertëve për ndërhyrjet në ndërtesa shoqërohen nga gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka evidentuar shkelje dhe mangësi në administrimin e ndërtimeve të paligjshme nga IMT-ja e Bashkisë Durrës.
Sipas raportit të auditimit të publikuar në vitin 2026, në 200 raste kryeinspektori i IMT-së nuk kishte nxjerrë urdhrat e ekzekutimit për vendimet e prishjes së ndërtimeve të paligjshme.
Në 23 raste të tjera, megjithëse ishin evidentuar elementë të veprës penale të ndërtimit të paligjshëm, shkeljet nuk ishin referuar pranë organeve ligjzbatuese.
Auditimi evidentoi gjithashtu trajtim të ndryshëm të subjekteve që kishin kryer ndërtime pa leje. Në disa raste, ndërhyrje si ndërtimi i mureve rrethuese apo portave ishin referuar për ndjekje penale, ndërsa shkelje të tjera nuk kishin ndjekur të njëjtën procedurë.
Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionon kontrolli i territorit dhe mbi standardet e përdorura nga autoritetet për të ndëshkuar shkeljet.
Probleme janë konstatuar edhe në administrimin e gjobave ndaj subjekteve që kryejnë punime pa leje.
Në 65 raste, IMT-ja kishte vendosur gjoba fikse prej 500 mijë lekësh, pa zbatuar metodologjinë ligjore të përllogaritjes së tyre. Ndërkohë, në 252 raste mungonte dokumentacioni që provonte njoftimin e subjekteve të gjobitura.
Gjatë viteve 2023–2024, inspektorati vendosi gjoba me vlerë të përgjithshme rreth 79.5 milionë lekë, por arriti të arkëtonte vetëm 10 milionë lekë, ose afërsisht 13% të shumës.
KLSH evidentoi gjithashtu se nuk ishte ndjekur siç duhej procedura për ekzekutimin e detyrueshëm të gjobave të papaguara.
Këto të dhëna tregojnë një problem të thellë në funksionimin e mekanizmave të kontrollit, ku shkeljet evidentohen, vendimet merren, por zbatimi dhe ndëshkimi mbeten të dobëta.
Pas sezonit veror, në Durrës intensifikohen punimet e rikonstruksionit në ambientet e shërbimit, të shoqëruara shpesh me ndryshime të destinacionit, nga restorante apo dyqane në ambiente akomodimi.
Në një pallat pranë shëtitores “Taulantia”, të gjitha lokalet e katit të parë janë kthyer në miniapartamente për akomodim afatshkurtër.
“Duket se kishin më shumë fitim me qiratë ditore sesa me të ardhurat nga dyqanet e zakonshme”, thotë Beniamin Doda, banor i zonës.
Sipas tij, ndërhyrjet nuk kufizohen vetëm në katet e para, por janë të përhapura edhe në apartamentet e banimit.
“Përveç zhurmës që vazhdon për disa javë, orë e pa orë, punimet tejkalojnë edhe projektin fillestar të pallatit”, shprehet ai.
Banorët thonë se shpesh është e vështirë të kuptojnë nëse punimet janë të autorizuara dhe nëse respektojnë kushtet e sigurisë. Në hyrjet e pallateve vendosen dokumente për ndërhyrjet, por kjo nuk u jep gjithmonë banorëve garanci se punimet po kryhen sipas standardeve teknike.
Mungesa e kontrollit favorizon abuzimet
Arkitekti Artan Kaçani e lidh përhapjen e ndërhyrjeve abuzive me mungesën e kontrollit dhe të një sistemi të plotë evidentimi të njësive të shërbimit.
Sipas tij, mungesa e një adresari për lokalet dhe dyqanet /BIRN
© Copyright of PatriotikMedia.al


