22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe: Kongresi i Manastirit që bashkoi shqiptarët rreth një gjuhe dhe një alfabeti …

22 Nëntori shënon një nga datat më të rëndësishme të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar: Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Një ditë që na rikthen te Kongresi i Manastirit i vitit 1908, kur patriotë, intelektualë dhe veprimtarë shqiptarë u bashkuan për të hedhur një hap vendimtar në unifikimin e shkrimit të gjuhës shqipe

Nga Redaksia – Kongresi i Manastirit u zhvillua nga 14 deri më 22 nëntor 1908, në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku sot ndodhet Muzeu i Alfabetit Shqip. Në këtë ngjarje historike morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete dhe shoqata shqiptare, si dhe 18 vëzhgues.

Punimet u drejtuan nga Mit’hat Frashëri, ndërsa nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi. Në mesin e figurave të rëndësishme që kontribuuan në këtë proces ishin Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Sotir Peci dhe Parashqevi Qiriazi.

Vendimi për përshtatjen e alfabetit latin për gjuhën shqipe shënoi një kthesë historike. Ai krijoi bazën për një sistem të përbashkët shkrimi, duke lehtësuar botimin e librave, zhvillimin e arsimit kombëtar dhe përhapjen e gjuhës shqipe në të gjitha trevat shqiptare.

Kongresi i Manastirit nuk ishte thjesht një mbledhje për shkronjat. Ishte një dëshmi se shqiptarët, pavarësisht dallimeve dhe vështirësive të kohës, mund të bashkoheshin për një qëllim të përbashkët: gjuhën, dijen dhe identitetin kombëtar.

Por 22 Nëntori nuk duhet të mbetet vetëm një datë në kalendar.

Në një kohë kur arsimi, kultura dhe mënyra e komunikimit po përballen me sfida të shumta, kjo ditë duhet të na kujtojë rëndësinë e gjuhës së saktë, të leximit, të shkollimit dhe të respektit për trashëgiminë tonë kombëtare.

Dhe pikërisht këtu vjen edhe një pyetje me humor, por jo pa domethënie:

Sot është Dita e Alfabetit. A e ke guximin t’i bësh tag kolegut, shefit apo shokut që ka nevojë për një Abetare?

Sepse alfabetin na e lanë trashëgimi patriotët e Manastirit. Të paktën, të mos harrojmë ta përdorim siç duhet!

Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top