Erjon Vishkulli nga Poliklinika Gemelli në Romë: Po përballem me një sfidë të rëndësishme për shikimin e syrit, faleminderit të gjithë shqiptarëve …
Nga Redaksia – Pas plagosjes në sy nga një plumb gome gjatë protestës, Erjon Vishkulli ndodhet në Poliklinikën Gemelli në Romë, ku po përballet me një tjetër sfidë të rëndësishme për shikimin. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ai ka falënderuar të gjithë shqiptarët që i kanë qëndruar pranë në këto momente të vështira.
Erjon Vishkulli, i cili u godit në sy nga policia me një plumb gome gjatë protestës, ka përcjellë një mesazh prekës nga Poliklinika Gemelli në Romë, ku po merr trajtim mjekësor për dëmtimin e syrit.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Vishkulli shpreh mirënjohjen për miqtë, familjarët dhe shqiptarët kudo në botë, të cilët i kanë dhënë mbështetje përmes telefonatave, mesazheve dhe lutjeve.
Ai tregon se, përveç dhimbjes së madhe që ka përjetuar, tashmë po përballet edhe me një sfidë të rëndësishme për shikimin e syrit.
“Çdo fjalë e juaja më ka dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të vazhduar përpara”, shkruan Vishkulli, duke theksuar se solidariteti i treguar nga shqiptarët e ka bërë të ndihet më i fortë në këtë moment të vështirë.
Mesazhin e tij ai e mbyll me një falënderim për Zotin, për jetën dhe shpresën, duke shprehur besimin se kjo sfidë do të kalojë me sukses.
Mesazhi i plotë i Erjon Vishkullit:
“Në këto momente të vështira të jetës sime, ku pas një dhimbjeje të madhe po përballem edhe me një sfidë tjetër të rëndësishme për shikimin e syrit, dua të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë.
Një falënderim i veçantë për të gjithë shokët, miqtë, familjarët dhe shqiptarët kudo që ndodhen në botë, që më kanë qëndruar pranë me mesazhe, telefonata, fjalë të ngrohta dhe lutje. Çdo fjalë e juaja më ka dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të vazhduar përpara.
Në një moment kur zemra ka nevojë për mbështetje, ju më treguat se nuk jam vetëm. Solidariteti, dashuria dhe respekti që më keni dhuruar kanë një vlerë të jashtëzakonshme për mua.
Faleminderit të gjithë shqiptarëve, kudo që jeni, që më keni treguar se zemra shqiptare është gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në ditët e mira dhe sidomos në ditët e vështira.
Dhe mbi të gjitha, falënderoj Zotin për forcën, për jetën dhe për shpresën që më jep çdo ditë. Lutem që kjo sfidë të kalojë me sukses dhe që të gjithë të kemi shëndet e bekime.
Zoti ju shpërbleftë secilin për dashurinë dhe mbështetjen tuaj!
Mirënjohje pafund, u shtofshin shqiptarët e mirë! ❤️🇦🇱🦾”

PatriotikMedia.al i uron Erjon Vishkullit shërim të shpejtë dhe rikthimin e plotë të shikimit.
© Copyright of PatriotikMedia.al


