Studentët kërkojnë largimin e deputetëve demokratë: Jeni pjesë e politikës së vjetër, kjo protestë nuk është e partive … (VIDEO)
Nga Redaksia – Përplasja mes studentëve dhe politikës së vjetër po merr një tjetër dimension. Gjatë protestës kombëtare para Ministrisë së Arsimit, të rinjtë kanë kërkuar largimin e deputetëve demokratë, duke bërë të qartë se nuk duan që protesta e tyre të identifikohet apo të përvetësohet nga partitë politike.
Studentët janë mbledhur sot para Ministrisë së Arsimit, në vijim të protestës kundër qeverisë së Edi Ramës. Në krah të tyre janë edhe pedagogët, të cilët prej disa ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor, ndërsa në shesh kanë dalë edhe mbështetës të Partisë Demokratike.
Por prania e deputetëve demokratë nuk është pritur mirë nga organizatorët e protestës. Të rinjtë kanë artikuluar hapur kundërshtimin e tyre, duke kërkuar që deputetët të largohen dhe të mos përpiqen të marrin protagonizmin e një lëvizjeje që, sipas tyre, i përket popullit dhe jo partive politike.
Njëri prej protestuesve deklaroi:
“Çdo qytetar është i mirëpritur, deputetët duhet të shmangen sepse janë simbol i partive që përfaqësojnë. Kjo protestë është e popullit. Ai që nuk është i mirëpritur është një person që vetë ekzistenca e tij simbolizon një parti. Ne nuk kemi penguar askënd të vijë, sepse është e drejtë kushtetuese të protestosh. Ne nuk duam persona që janë simbol i partive që na kanë rrënuar.”
Një tjetër student ishte edhe më i drejtpërdrejtë, duke rikujtuar se kërkesa e tyre që prej 31 majit nuk ka qenë vetëm largimi i Edi Ramës, por edhe i Sali Berishës.
“Kjo protestë që nga 31 maji ka qenë Edi Rama në burg dhe Berisha në burg. Çdo simpatizant i PD-së është i mirëpritur. Berisha dhe deputetët e tij në asnjë mënyrë”, u shpreh ai.
Mesazhi i studentëve: Nuk duam zëvendësimin e një politike të vjetër me një tjetër!
Deklaratat e të rinjve tregojnë se pakënaqësia e tyre nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë aktuale, por edhe ndaj klasës politike që ka dominuar Shqipërinë ndër vite.
Kërkesa për largimin e Edi Ramës shoqërohet me një tjetër kërkesë politike: largimin e elitës së vjetër dhe hapjen e rrugës për një frymë të re në vend.
Ndërkohë, protesta po zhvillohet nën masa të jashtëzakonshme sigurie. Mbi 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar në terren. Në gatishmëri janë forcat Shqiponja, FNSH-ja, efektivë të komisariateve të kryeqytetit, agjentë civilë, dronë monitorimi dhe autobotë me ujë me presion.
Policia ka vendosur gjithashtu kamera sigurie me rezolucion të lartë dhe pajisje monitorimi për identifikimin e protestuesve.
Në një kohë kur studentët kërkojnë largimin e qeverisë dhe të klasës politike të vjetër, përplasja e tyre me deputetët demokratë nxjerr në pah një realitet të ri: të rinjtë nuk duan që pakënaqësia popullore të kthehet në kapital politik për partitë që kanë qeverisur dhe drejtuar vendin ndër vite.
Protesta e studentëve po shtron një pyetje të fortë për politikën shqiptare: A ka ardhur momenti që një brez i ri të kërkojë llogari nga të gjithë, pa përjashtim?
© Copyright of PatriotikMedia.al


