Belinda Balluku luan me SPAK, një vit hetime dhe ende pa një vendim që e çon pas hekurave …

Nga Redaksia – Dosja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku hyn në një fazë vendimtare, por pikëpyetjet mbi përgjegjësinë penale dhe ritmin e drejtësisë mbeten të mëdha. Pesë akuza penale dhe 15 raste të dyshuara janë tashmë në qendër të vëmendjes. A do të ketë drejtësi të barabartë apo një tjetër histori që do të zvarritet në korridoret e institucioneve?

Më 31 tetor 2025, SPAK i komunikoi zyrtarisht Belinda Ballukut akuzën për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në lidhje me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Një vit më parë, ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, ku mori zyrtarisht statusin e të pandehurës. Ndërsa pak ditë më parë, Balluku u rikthye sërish në SPAK, këtë herë për t’u njohur me përfundimin e hetimeve, e shoqëruar nga avokati i saj, Ardian Kalia.

Pas një viti hetimesh, çështja tashmë përfshin pesë akuza penale që lidhen me 15 raste të dyshuara. Por, ndërsa hetimet janë mbyllur, një pyetje vazhdon të kërkojë përgjigje: Pse Belinda Balluku ende nuk është përballur me një vendim gjykate për përgjegjësinë e saj penale?

Ish-zëvendëskryeministrja deri më tani i ka shpëtuar një vendimi që do të sillte masa më të rënda ndaj saj, ndërsa dosja pritet të kalojë në Gjykatën e Posaçme. Kjo është faza ku SPAK duhet të paraqesë provat dhe ku gjykata do të vendosë mbi ecurinë e mëtejshme të procesit.

Mbyllja e hetimeve nuk përbën as pafajësi dhe as shpallje fajtorësie. Ajo shënon përfundimin e fazës hetimore dhe hapjen e rrugës drejt gjykimit. Megjithatë, për një çështje që prek nivelet më të larta të pushtetit, koha dhe transparenca janë po aq të rëndësishme sa vetë hetimi.

A po luhet me SPAK-un apo po testohet durimi i drejtësisë shqiptare?

Kjo është pyetja që shtrohet gjithnjë e më shumë në opinionin publik. Qytetarët e zakonshëm përballen shpesh me shpejtësinë e institucioneve, ndërsa kur në qendër të hetimeve janë figura të rëndësishme politike, proceset shoqërohen me procedura të gjata dhe pritje të pafundme.

Prova e vërtetë për SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme nuk është thjesht mbyllja e një dosjeje, por aftësia për ta çuar atë deri në fund, pa presione politike dhe pa standarde të dyfishta.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top