Nga Redi Minga:
Ka që në fund të majit që protesta ka nisur. Javë pas jave, njerëz dalin në rrugë, ngrihen parulla, bëhen thirrje dhe kërkohet ndryshim. Por pas gjithë kësaj kohe, pyetja është bërë edhe më e madhe:
Edhe sa skandale duhet të dëgjojnë shqiptarët që të binden se Rama duhet të largohet?
Çfarë po presin Shqiptarët që të ndodhë tjetër?
Sa histori duhet të dëgjojmë për korrupsionin, tenderat, koncesionet, aferat, pronat publike, konfliktet e interesit dhe vendimet e një pushteti që prej vitesh ka në dorë drejtimin e vendit?
Sa herë duhet të dalin emra, dosje, akuza dhe debate publike që qytetarët të kuptojnë se problemi nuk zgjidhet vetëm duke bërtitur në shesh?
Sepse protesta ka një qëllim: të ushtrojë presion mbi pushtetin dhe t’i kërkojë llogari.
A mjafton ky presion?
Nëse prej fundit të majit njerëzit dalin në rrugë dhe pushteti vazhdon normalisht punën e tij, merr vendime, prezanton projekte, bën deklarata dhe sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur, atëherë duhet parë se çfarë mungon.
Sepse një protestë nuk matet vetëm me numrin e njerëzve në shesh.
Matet edhe me fuqinë që ka për të detyruar pushtetin të japë përgjigje.
Dhe shqiptarët kanë të drejtë të dinë:
Ku është llogaria?
Nëse ka përgjegjësi politike, kush e mban?
Nëse ka abuzime me pushtetin, kush përgjigjet?
Nëse ka skandale, kush jep shpjegime?
Nëse qytetarët ndihen të vjedhur, të mashtruar apo të shpërfillur, kush u përgjigjet atyre?
Këto janë pyetjet që duhet të qëndrojnë në qendër të protestës.
Por ka edhe një pyetje tjetër, ndoshta edhe më të rëndësishme për vetë protestën.
Nëse nesër protesta dështon, kush është ai burrë që del dhe merr përgjegjësinë për dështimin?
Kush do të thotë:
Po, ky ishte gabimi. Këtu gabuam. Këtë nuk e bëmë siç duhet dhe kjo është arsyeja pse dështuam.
Kush?
Sepse shumë nga ata që sot shfaqen si koordinatorë të protestës, nesër mund të dalin e të thonë:
Ju thashë, por nuk më dëgjuan.
Dhe përgjegjësia do të mbetet përsëri në ajër.
Sot pyetja është e drejtëpërdrejtë:
Kush është ai bir nëne që do të dalë përpara njerëzve dhe do të thotë: “Ky ishte gabimi ynë”?
Jo të gjithë do të jenë fajtorë, sigurisht. Por një protestë që pretendon të ndryshojë një pushtet duhet të ketë edhe njerëz që mbajnë përgjegjësi për drejtimin e saj.
Nuk mund të ketë vetëm zhurmë kur gjërat shkojnë mirë dhe heshtje kur ato dështojnë.
Nuk mund të ketë vetëm mikrofon kur kërkohet duartrokitje dhe shmangie kur duhet dhënë llogari.
Por kam frikë se, nëse protesta dështon, nuk do të dalë njeri të marrë përgjegjësinë.
Do të fillojë zbythja.
Do të fillojnë justifikimet.
Do të thuhet se “njerëzit nuk na dëgjuan”, se “rrethanat ishin të vështira”, se “dikush tjetër e prishi”, se “ne e bëmë pjesën tonë”.
Pra, të gjithë do të kërkojnë një arsye për të mos thënë fjalën e duhur:
Ne gabuam.
Ky është një model që shqiptarët e njohin mirë.
Bëj zhurmën kur duhet të dëgjohesh dhe fshihu kur duhet të flasësh.
Dhe pikërisht këtu lind dyshimi:
Një protestë pa kokë është si një ushtri pa komandant.
Secili në kokë të vet.
Secili me strategjinë e vet.
Secili me mikrofonin e vet.
Secili duke dhënë urdhra, por askush duke mos mbajtur përgjegjësi për rezultatin.
Nëse kërkohet ndryshim i vërtetë, atëherë duhet edhe përgjegjësi e vërtetë.
Duhet dikush që të thotë: këtë e bëmë mirë dhe këtë e bëmë keq.
Sepse edhe qytetarët që dalin në shesh kanë të drejtë të dinë se kush e drejton protestën, çfarë kërkohet, cili është objektivi dhe kush mban përgjegjësi nëse objektivi nuk arrihet.
Pra pa drejtim nuk ka strategji.
Dhe pa strategji, çdo protestë rrezikon të mbetet vetëm një shpërthim zemërimi që shuhet në momentin kur njerëzit largohen nga sheshi.
Edhe sa skandale duhet të dëgjojnë shqiptarët që të binden se Rama duhet të largohet?
© Copyright of PatriotikMedia.al

