Nga Redaksia – Një material i publikuar në portalin izraelit të pasurive të paluajtshme Realigro.co.il e paraqet Shqipërinë si një mundësi të jashtëzakonshme për qytetarët izraelitë që kërkojnë të blejnë prona dhe të investojnë jashtë vendit.
Artikulli është ndërtuar si një guidë për të huajt që mendojnë të blejnë një apartament apo shtëpi në Shqipëri dhe përdor një gjuhë dukshëm nxitëse për investimin në vend.
Shqipëria përshkruhet si një vend që po përjeton një zhvillim të madh, ku mirëqenia po rritet dhe kostoja e jetesës paraqitet si shumë e ulët.

Por ajo që bie menjëherë në sy janë çmimet e përdorura në material.
Sipas portalit, një apartament prej 100 metrash katrorë mund të merret me qira për rreth 150 euro në muaj. Për jugun e Vlorës përmendet një studio me qira që nis nga vetëm 30 euro, ndërsa për Shkodrën jepet shembulli i një apartamenti me tre dhoma dhe rreth 120 metra katrorë me qira nga rreth 600 euro në muaj.
Edhe për blerjen e pronave, shifrat janë jashtëzakonisht të ulëta.
Realigro shkruan se në Shqipëri mund të gjenden shtëpi duke nisur nga rreth 20 mijë euro, ndërsa për një vilë më luksoze përmendet një çmim rreth 60 mijë euro.
Më poshtë mund të lexoni:
Këto shifra e paraqesin Shqipërinë si një treg jashtëzakonisht të lirë për një investitor të huaj.
Por pikërisht këtu lind pyetja: a përfaqësojnë këto çmime realitetin e tregut shqiptar, apo bëhet fjalë për oferta të veçanta, të vjetra apo raste të izoluara që përdoren për të tërhequr vëmendjen e blerësve të huaj?
Për një izraelit që nuk e njeh tregun shqiptar, një material i tillë krijon një perceptim shumë të fortë: Shqipëria paraqitet si një vend ku mund të blesh një shtëpi me vetëm disa dhjetëra mijëra euro, të marrësh apartamente me qira me shifra shumë të ulëta dhe të jetosh me një kosto minimale.
Portali shkon edhe më tej.
Në material thuhet se një kilogram mollë kushton vetëm 50 cent, pastrimi i dhëmbëve rreth 7 euro, ndërsa energjia elektrike përshkruhet si “pothuajse falas”.
Pra, Shqipëria prezantohet para lexuesit izraelit si një vend me prona të lira, kosto të ulët jetese dhe mundësi të mëdha ekonomike.
Në të njëjtin material shfaqet edhe promovimi i Jet Bank, duke e bërë edhe më interesante mënyrën se si është ndërtuar kjo faqe dhe mesazhi që i përcillet investitorit të huaj.
Më poshtë mund të lexoni:
Në njërën anë, lexuesit i thuhet se Shqipëria është një treg ku mund të gjenden prona me çmime shumë të ulëta. Në anën tjetër, në të njëjtën hapësirë promovohet edhe një institucion financiar.
Kështu krijohet një tablo e plotë për investitorin: Shqipëria paraqitet si destinacion ku ia vlen të blesh pronë, ndërsa krahas këtij promovimi shfaqet edhe mundësia e shërbimeve financiare.
Një tjetër element i rëndësishëm është fakti se artikulli nuk e trajton Shqipërinë thjesht si destinacion turistik. Ai u drejtohet drejtpërdrejt personave që duan të blejnë pasuri të paluajtshme dhe i fton ata të shohin mundësitë që ofron tregu shqiptar.
Tirana përshkruhet si një qytet me aktivitet ekonomik dhe vende pune, ndërsa Vlora dhe zona të tjera paraqiten si vende ku të huajt mund të gjejnë prona me çmime shumë të favorshme.
Në fund, mesazhi është i qartë: Shqipëria i prezantohet publikut izraelit si një treg në zhvillim ku investimi në pasuri të paluajtshme mund të jetë një mundësi e rëndësishme.
Por sot, kur çmimet e pronave në Shqipëri kanë ndryshuar ndjeshëm, veçanërisht në Tiranë dhe në zonat bregdetare, përdorimi i shifrave kaq të ulëta kërkon vëmendje.
Nëse një investitor i huaj lexon se një studio pranë Vlorës mund të merret me 30 euro, një apartament 100 metra katrorë me 150 euro në muaj dhe një shtëpi mund të blihet me 20 mijë euro, ai krijon një ide shumë të ndryshme nga ajo që mund të hasë kur përballet me tregun real dhe ofertat aktuale.
Pikërisht për këtë arsye, materiali i Realigro.co.il meriton të lexohet me vëmendje.
Nuk bëhet fjalë thjesht për një shkrim informues mbi Shqipërinë, por për një material që e prezanton vendin në mënyrë shumë të favorshme për investitorët e huaj, duke përdorur çmime jashtëzakonisht të ulëta të pasurive të paluajtshme dhe njëkohësisht duke shfaqur promovimin e Jet Bank.
Më poshtë mund të lexoni:
Pyetja që mbetet është se sa përputhet kjo Shqipëri e reklamuar në portalin izraelit me Shqipërinë që përballon sot qytetari shqiptar.
Dhe mbi të gjitha: pse investitorit të huaj i paraqitet një Shqipëri me prona kaq të lira dhe me kosto jetese pothuajse minimale?
PatriotikMedia.al e sjell këtë material për publikun shqiptar, pasi mënyra se si Shqipëria reklamohet jashtë vendit, veçanërisht tek investitorët e huaj, është një çështje që kërkon transparencë dhe vëmendje publike.
Burimi: https://www.realigro.co.il/albania-real-estate-property-ii/index.php
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

