ANALIZA: Katër individë nuk janë UÇK-ja: Drejtësia individuale nuk mund të kthehet në gjykim të një populli …

Nga Redaksia – Vendimi i 16 shtatorit 2026 në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka rikthyer në qendër të debatit një pyetje që shkon përtej katër individëve: ku ndahet përgjegjësia personale nga historia e një populli që luftoi për liri?

Në këtë analizë, Enkel Muço vendos përballë njëra-tjetrës historinë e dhimbshme të shqiptarëve, Çamërinë, luftën e Kosovës, drejtësinë ndërkombëtare dhe standardin e zbatimit të saj.

Thelbi i argumentit është i qartë: një individ mund të gjykohet për veprimet e tij dhe përgjegjësia penale duhet të jetë individuale, por një popull dhe një luftë për liri nuk mund të gjykohen përmes disa individëve.

Nga Çamëria te Kosova, nga viktimat shqiptare te debati i sotëm mbi drejtësinë ndërkombëtare, shkrimi ngre pyetjen nëse ligji duhet të ketë të njëjtin standard për të gjithë — pa dallim kombësie, fuqie apo interesi gjeopolitik.

Titulli origjinal: Paralelizëm i detyruar

Nga Enkel Muço:

Historia, drejtësia dhe një popull që nuk mund të gjykohet përmes individëve

Historia e kombit shqiptar është një histori gjaku, mbijetese dhe rezistence.

Nga sundimi osman, Luftërat Ballkanike, Kongresi i Berlinit i vitit 1878 dhe Konferenca e Londrës e vitit 1913, deri te tragjeditë e shekullit XX dhe lufta e Kosovës më 1998–1999, shqiptarët u përballën me masakra, pushtime, dëbime, shpronësime, genocid, asimilim dhe copëtim territoresh.

Trojet shqiptare u ndanë.

Popullsia u shpërngul, u asimilua.

Historia u fragmentua.

Dhe Europa, e cila në momente vendimtare përcaktoi kufijtë e Ballkanit, duhet të mbante përgjegjësi historike dhe juridike për atë që prodhoi.

ÇAMËRIA — PLAGA E HESHTUR

Pas vitit 1913, Çamëria mbeti brenda shtetit grek. Gjatë dekadave pasuese, veçanërisht pas shkëmbimit të popullsive të vitit 1923, popullsia shqiptare çame u përball me masakra, genocid, shpronësime, presione dhe shpërngulje.

Kulmi tragjik erdhi në vitet 1944–1945, kur forcat e EDES-it të Napoleon Zervës kryen vrasje dhe dëbime masive ndaj popullsisë shqiptare çame.

Studimet historike dokumentojnë të provuara vrasje civilësh, dhunë, shkatërrim pronash dhe largimin masiv të të mbijetuarve drejt Shqipërisë.

Një popullsi u dëbua nga trojet e veta dhe çështja e pronave dhe e kthimit të saj mbeti e pazgjidhur.

Për shqiptarët, kjo nuk është thjesht një çështje e së kaluarës.

Është kujtesë historike.

Është çështje pronësie.

Është çështje drejtësie.

Dhe për shumë shqiptarë, është një krim që kërkon ende një trajtim të plotë historik dhe juridik.

KU ISHTE SHTETI SHQIPTAR PARA VITIT 1990?

Këtu lind një tjetër pyetje e rëndë.

Pas vitit 1990, PS dhe PD, dy forcat që kanë dominuar politikën dhe qeverisjen shqiptare, nuk kanë ndërtuar një politikë të qëndrueshme shtetërore që t’i trajtojë në mënyrë gjithëpërfshirëse krimet, dëbimet dhe shkeljet historike ndaj shqiptarëve në Çamëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Preshevë, Sanxhak dhe hapësira të tjera të ish-Jugosllavisë.

Kanë ekzistuar iniciativa, deklarata dhe akte për çështje të veçanta. Ndërsa rezoluta e genocidit serb nuk u votua në Parlament nga PS-PD.

Por ajo që mungon është vazhdimësia e një politike shtetërore shqiptare, të dokumentuar dhe të artikuluar qartë në planin juridik për ta paraqitur te instancat ndërkombëtare. Dhe kjo nuk mbetet vetëm çështje vullneti apo paaftësie, shkon përtej kësaj.

Një shtet nuk mund ta kujtojë historinë vetëm kur i leverdis politikisht për efekte zgjedhjesh elektorale-politike.

Historia e Shqipërisë nuk është pronë e PS-së.

Nuk është pronë e PD-së.

Dhe nuk është pronë e asnjë qeverie.

Është kujtesa e një populli.

KOSOVA — 1998–1999

Në Kosovë, konflikti arriti pikën e shpërthimit.

Regjimi i Slobodan Milošević-it ndërmori një fushatë ushtarake dhe policore kundër popullsisë shqiptare, e shoqëruar me vrasje, dëbime masive dhe krime të rënda ndaj civilëve.

Përballë kësaj dhune, UÇK-ja u formua dhe u shfaq si forcë e armatosur e rezistencës shqiptare, në mbrojtje të jetës, lirisë dhe Atdheut. Ndërsa ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ndryshoi rrjedhën e konfliktit.

Dardania u çlirua falë luftës çlirimtare të UÇK-së dhe ndërhyrjes së SHBA-së.

Pas përfundimit të luftës, shteti i brishtë i Kosovës dhe politikëbërësit e tij analfabetë nuk ditën ta ndërtojnë shtetin mbi themele të forta. Institucionet e drejtësisë nuk e formuan mbi baza morali, meritokracie dhe drejtësie.

Ky kapitull nuk u mbyll. Përkundrazi, ai e hapi një tjetër.

Drejtësia dhe pyetja që nuk mund të shmanget

Vendimet gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së kanë prodhuar debat të fortë mbi mënyrën se si trajtohen juridikisht krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës.

Këtu duhet bërë një dallim themelor:

Të gjykosh individë për përgjegjësi penale individuale është një gjë; të barazosh juridikisht një formacion luftarak me një aparat shtetëror që zhvilloi operacione ushtarake dhe policore kundër një popullsie civile është një çështje krejt tjetër.

Prandaj pyetja themelore nuk është nëse dikush duhet të jetë mbi ligjin.

Askush nuk duhet të jetë.

Pyetja është:

A po zbatohet ligji në mënyrë të barabartë për të gjitha palët dhe për të gjitha krimet?

Nëse një luftëtar shqiptar përgjigjet para drejtësisë për një krim individual, kjo duhet të ndodhë mbi bazën e provave dhe përgjegjësisë personale.

Por i njëjti standard duhet të zbatohet edhe për autorët e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë.

Sepse drejtësia selektive nuk është drejtësi e plotë.

Të zhdukurit janë prova e një historie ende të pambyllur. Edhe sot mbetet një plagë e hapur çështja e personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës.

Familjet shqiptare vazhdojnë të kërkojnë informacion mbi fatin e të afërmve të tyre. Trupat e shumë viktimave u zhvendosën ose u fshehën, ndërsa procesi i identifikimit dhe i vendosjes së përgjegjësisë vazhdon të jetë një nga detyrimet morale dhe juridike të institucioneve.

Drejtësia nuk mund të jetë vetëm një akt gjykimi.

Drejtësia është edhe zbulimi i së vërtetës.

Është gjetja e të zhdukurve.

Është identifikimi i viktimave.

Është dokumentimi i krimeve.

Është ndëshkimi i përgjegjësve — pavarësisht përkatësisë së tyre politike, ushtarake apo kombëtare.

Paralelizmi i sotëm

Dhe pikërisht këtu historia shqiptare përplaset me realitetin e sotëm ndërkombëtar.

Kur institucionet ndërkombëtare kërkojnë përgjegjësi për krimet e luftës në Kosovë, ndërsa në Serbi proceset perceptohen si të ngadalta, të pjesshme ose të pabarabarta, lind natyrshëm pyetja mbi koherencën e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë.

Edhe konflikti në Gaza e ka rikthyer këtë debat në qendër të vëmendjes globale.

Akuzat për genocid e krime të rënda ndaj civilëve dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare kërkojnë hetim, prova dhe përgjegjësi juridike për çdo person apo institucion që rezulton përgjegjës.

Asnjë shtet, ushtri, organizatë apo individ nuk duhet të jetë mbi ligjin. Asnjë viktimë nuk duhet të ketë më pak vlerë për shkak të kombësisë, fesë, territorit apo interesave gjeopolitike.

Bota nuk mund të ndërtohet mbi ligjin e më të fortit.

Historia e shekujve të fundit ka treguar se kur drejtësia zëvendësohet nga fuqia, lind hakmarrja; kur ligji zbatohet në mënyrë selektive, lind mosbesimi; dhe kur viktimat ndahen në kategori, krijohet terreni për konflikte të reja.

Prandaj pyetja shqiptare nuk duhet të jetë vetëm:

“Pse na është bërë kjo?”

Pyetja duhet të jetë më e madhe:

“A është drejtësia ndërkombëtare vërtet universale?”

Nëse është universale, atëherë duhet të jetë universale për të gjithë.

Për viktimën shqiptare dhe viktimën serbe.

Për viktimën palestineze dhe për viktimën izraelite.

Për viktimën europiane dhe viktimën jashtë Europës.

Për të fuqishmin dhe për të pambrojturin.

Sepse një rend ndërkombëtar që kërkon paqe vetëm përmes forcës ushtarake, interesave strategjike dhe ekuilibrave të fuqive, pa moral dhe pa zbatim të njëjtë të ligjit, nuk mund të prodhojë një paqe të qëndrueshme.

Bota njerëzore nuk mund të udhëhiqet vetëm nga ushtritë, armët dhe fuqia.

Ajo duhet të udhëhiqet nga arsyeja, e drejta, morali dhe përgjegjësia njerëzore.

Përndryshe, historia do të vazhdojë të prodhojë të njëjtin paradoks:

Krimineli kërkon mbrojtje nga fuqia, viktima kërkon drejtësi nga ligji, ndërsa politikat globaliste vendosin privilegjet.

Dhe kur drejtësia humbet universalitetin e saj, revolta e popujve për të drejtat e mohuara bëhet domosdoshmëri dhe nuk është më një çështje e së kaluarës. Ajo bëhet një paralajmërim për të ardhmen.

Por këtu duhet bërë dallimi që shpesh humbet nga politika dhe propaganda e saj.

UÇK-ja si rezistencë e një populli për liri nuk është e njëjta gjë me çdo individ që ka qenë pjesë e saj.

Dhe aq më pak:

Katër individë nuk janë një popull.
Nuk janë historia e tij.

INDIVIDI NUK ËSHTË POPULLI, PAVARËSISHT PESHËS SË TIJ POLITIKE

Sot, më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për disa krime lufte, duke dhënë dënime të ndryshme, përfshirë 25 vjet burg për Thaçin. Gjykata i dënoi mbi bazën e përgjegjësisë individuale për veprat që konsideroi të provuara dhe i liroi nga disa akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Unë nuk kam nevojë t’i idealizoj këta njerëz.

Nuk kam nevojë të mbroj qeverisjen e tyre pas luftës.

Nuk kam nevojë të përmend se i dënoi e njëjta Gjykatë për të cilën vetë e votuan.

Por e dëshiroj lirimin e tyre.

Nuk kam nevojë të mohoj korrupsionin, krimet, tradhtitë, abuzimin me pushtetin apo krimet individuale, nëse ato provohen me ligj.

Por pikërisht këtu qëndron dallimi:

Përgjegjësia e individit nuk mund të shndërrohet në përgjegjësi të një populli.

Ata që u dënuan sot nuk përfaqësojnë të gjithë luftën dhe rezistencën e popullit shqiptar për liri.

Ata janë luftëtarët e lirisë, por jo UÇK-ja.

Të gjithë ndihemi të indinjuar për vendimin e Gjykatës, por ky nuk është dënim mbi luftën e drejtë për liri që bëri UÇK-ja dhe shqiptarët.

Vendimi do të apelohet. Provat që Gjykata paraqiti dhe mbi të cilat dënoi çlirimtarët do të rishqyrtohen.

Rezistenca dhe lufta e popullit shqiptar për liri nuk mundet kurrsesi të paralelizohet e të njëhësohet me terrorin, genocidin dhe agresorin serb.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top