Loja e dyshimtë e kryeministrit Rama, vetë e futi në burg, vetë po e nxjerr Erion Veliajn?!

Loja e dyshimtë e kryeministrit me Veliajn: dje “iu pre koka” Bashkisë, sot kërkohet rikthimi i kokës. Por kush po fiton nga kjo histori

Nga Redaksia – Edi Rama duket se ka vendosur të luajë një tjetër kartë politike me çështjen Erion Veliaj.

Në njërën anë, kryeministri flet për një Bashki të Tiranës që “i është prerë koka”, ndërsa në anën tjetër Veliaj vazhdon të jetë pas hekurave. Dhe pikërisht këtu lind pyetja që kërkon përgjigje:

A po përgatit Edi Rama terrenin politik dhe publik për daljen e Erion Veliajt nga burgu?

Loja duket e dyfishtë.

Në momentin kur Erion Veliaj po shfaqte një rritje të fortë politike dhe po konsolidonte gjithnjë e më shumë peshën e tij brenda Partisë Socialiste, Rama kishte një arsye të fortë për ta parë atë si një figurë potencialisht problematike për të ardhmen e pushtetit të tij.

Në këtë kontekst, goditja ndaj Veliajt mund të shihet edhe si një mënyrë për të frenuar një figurë që po fitonte shumë peshë politike.

Por sot situata duket se po kthehet në drejtim të kundërt.

Rama po del publikisht dhe po flet për “kokën e prerë” të Bashkisë së Tiranës, për dëmet që po shkaktohen dhe për një “eksperiment social, legal, politik dhe ekonomik” që, sipas tij, ka dështuar.

Klikoni mbi link:

https://rumble.com/shorts/v7fceeu

Pra, dje Veliaj ishte problemi. Sot mungesa e Veliajt po paraqitet si problemi.

Dhe kjo është pikërisht ajo që e bën deklaratën e Ramës politike dhe ironike në të njëjtën kohë.

Rama po e zhvendos vëmendjen nga vetja?

Një tjetër pyetje që ngrihet është se çfarë efekti politik do të kishte dalja e Veliajt nga burgu.

Nëse Veliaj do të rikthehej në skenën politike, debati publik do të zhvendosej menjëherë nga Edi Rama te Erion Veliaj.

Rama do të mund të paraqitej si kryeministri që “po shpëton Tiranën” dhe që po kërkon rikthimin e funksionimit normal të bashkisë.

Në vend që shqiptarët të merren me përgjegjësinë politike të qeverisë, problemet e saj dhe vetë Ramën, vëmendja do të përqendrohej përsëri tek Veliaj.

Një lojë perfekte politike: një ditë e godet, ditën tjetër e përdor si zgjidhje.

Por ekziston edhe një problem shumë më i madh

Nëse Erion Veliaj del nga burgu për shkak të presionit apo ndërhyrjeve politike dhe jo si rezultat i një vendimi të pavarur të drejtësisë, dëmi më i madh nuk do t’i bëhej vetëm SPAK-ut.

Do të goditej vetë Reforma në Drejtësi.

Për vite shqiptarëve u është thënë se drejtësia e re do të jetë e pavarur, se askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe se SPAK do të hetojë edhe njerëzit më të fuqishëm të politikës.

Nëse një figurë politike e rëndësishme arrestohet dhe më pas del nga burgu sepse politika vendos se “Bashkisë i duhet koka”, atëherë pyetja do të jetë e pashmangshme:

Për çfarë shërbeu gjithë Reforma në Drejtësi?

Dhe pasoja e dytë do të ishte edhe më e rëndë:

Rënia e besimit të qytetarëve te SPAK dhe te drejtësia.

Sepse qytetari i thjeshtë mund të pyesë: nëse politika mund të ndikojë në fatin e një prej emrave më të rëndësishëm të saj, atëherë çfarë garancie ka një qytetar i zakonshëm përballë sistemit?

Rama, Veliaj dhe loja e pushtetit

Kjo histori nuk duhet parë vetëm si një histori mes Ramës dhe Veliajt.

Është një histori mbi mënyrën se si funksionon pushteti politik shqiptar.

Kur Veliaj rritej politikisht, ai mund të ishte një kërcënim. Kur Veliaj është në burg, mungesa e tij përdoret si argument për krizën e Bashkisë së Tiranës. Dhe nëse nesër del nga burgu, ai mund të përdoret përsëri si instrument politik.

Në fund të fundit, pyetja mbetet:

EDI RAMA VETË E FUTI NË BURG, VETË PO E NXJERR ERION VELIAJN?!

Nëse kjo është thjesht një çështje drejtësie, atëherë drejtësia duhet të flasë dhe vendimin ta marrë gjykata.

Por nëse pas kësaj historie fshihet një marrëveshje politike, një kalkulim elektoral apo një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen e shqiptarëve, atëherë kemi të bëjmë me diçka shumë më serioze.

Sepse kur politika fillon të vendosë se kush hyn në burg dhe kush del prej tij, nuk është më vetëm çështja e Erion Veliajt.

Është çështja e besimit të një populli te drejtësia.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top