Tiranë – I dërguari special i Presidentit amerikan Donald Trump për Ballkanin për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, ka zhvilluar një vizitë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë, ku është diskutuar për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe nismën për krijimin e një shteti sovran Bektashi në kryeqytetin shqiptar.
Gjatë vizitës, Zampolli vlerësoi rëndësinë e bashkëjetesës fetare në Shqipëri dhe e cilësoi vendin tonë si një mike dhe aleate të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara.
Por një nga çështjet më të rëndësishme të deklaratave të tij ishte pikërisht ideja e krijimit të një shteti sovran Bektashi në Tiranë.
I pyetur se cili është qëndrimi i tij për këtë nismë, Zampolli tha se e ka dëgjuar Kryeministrin Edi Rama dhe Kryegjyshin Botëror Bektashi të flasin për këtë projekt, por sipas tij, në fund duhet të jetë populli shqiptar ai që vendos.
“E kam dëgjuar. Kam dëgjuar Kryeministrin të flasë, kam dëgjuar Shenjtërinë e Tij të flasë. Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin. Dhe mendoj se komuniteti ndërkombëtar do ta respektojë vendimin e popullit të Shqipërisë”, u shpreh Zampolli.
Ai shtoi se nga bisedat dhe informacionet që ka marrë, ka krijuar përshtypjen se një pjesë e shqiptarëve e mbështesin idenë, por theksoi se duhet të dëgjohet qartë vullneti i qytetarëve.
“Po mësoj nga ju dhe mendoj se populli i Shqipërisë e dëshiron këtë. Prandaj, nëse populli juaj e dëshiron, mendoj se kjo është një gjë e mirë. Mirë, kam dëgjuar disa njerëz të flasin, por ndoshta jo popullin. Prandaj duhet të flasë populli”, deklaroi ai.
Zampolli: NATO nuk është pjesë e agjendës sime
Gjatë bisedës u prek edhe çështja e NATO-s dhe roli i Shqipërisë në Aleancën Atlantike.
Zampolli u shpreh se NATO është një organizatë e rëndësishme për sigurinë dhe se Shqipëria duhet të vazhdojë të jetë pjesë aktive e saj.
“Sinqerisht, NATO është një organizatë për të cilën kemi nevojë. Nuk është pjesë e agjendës sime. Unë isha me NATO-n këtu në Çernobil, ku ishte edhe Kryeministri Edi Rama. Kjo nuk është vërtet pjesë e agjendës sime, por ne e mirëpresim Shqipërinë si anëtare të NATO-s dhe duhet ta përdorim NATO-n edhe për shumë gjëra të tjera”, tha Zampolli.
Një çështje që kërkon vendim të shqiptarëve
Deklaratat e të dërguarit amerikan rikthejnë në qendër të vëmendjes debatin për projektin e krijimit të një entiteti sovran Bektashi në Tiranë.
Deri tani, ideja ka shkaktuar diskutime të forta në Shqipëri, me mbështetës dhe kundërshtarë që kanë ngritur argumente politike, juridike dhe kushtetuese.
Ajo që bie në sy nga deklarata e Zampollit është se ai nuk e paraqiti krijimin e këtij shteti si një vendim të marrë, por theksoi se vendimi duhet të vijë nga populli shqiptar dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet ta respektojë atë vullnet.
Nëse kjo nismë do të ecë përpara, pyetja kryesore mbetet: a do të jetë populli shqiptar ai që do të shprehet drejtpërdrejt për të ardhmen e këtij projekti?
Për momentin, përgjigjja mbetet pjesë e debatit publik.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

