Rama tallet me protestuesit: Ata vazhdojnë të ëndërrojnë, protesta hyn në ditën e 77-të …

Nga Redaksia – Kryeministri Edi Rama ka dhënë një tjetër koment për protestat që prej javësh po zhvillohen në Tiranë, duke i cilësuar protestuesit si pjesë të forcave të ndryshme politike dhe duke mohuar se tubimet përfaqësojnë një pakënaqësi të gjerë qytetare. Ndërkohë, protestuesit vijojnë rezistencën dhe kërkojnë largimin e tij nga posti i kryeministrit.

Në një intervistë për median britanike “UnHerd”, Rama u shpreh se protestat e fundit nuk kanë të njëjtën përbërje me ato të muajit qershor. Sipas tij, në bulevard tashmë janë bashkuar parti opozitare, grupe të vogla politike dhe individë që i përkasin si ekstremit të majtë, ashtu edhe atij të djathtë.

“Protestat e sotme nuk janë protestat e qershorit. Ata janë të angazhuar në parti politike, parti opozitare, të majta nga ekstremi dhe të djathta nga ekstremi”, deklaroi Rama.

Kryeministri hodhi poshtë gjithashtu pretendimin se protestat janë shprehje e një pakënaqësie të gjerë të qytetarëve ndaj qeverisë së tij. Sipas tij, pjesëmarrja e opozitës ka ndikuar në përmasat e tubimeve.

Megjithatë, Rama deklaroi se është “shumë krenar” që protestat kanë vijuar për ditë me radhë pa incidente të rënda, duke e konsideruar këtë si një tregues se Shqipëria po sillet si një vend “normal evropian”.

77 ditë protestë: “Do të vazhdojmë derisa të vijë zgjidhja”

Ndërsa kryeministri i interpreton protestat në terma politikë, qytetarët që vijojnë të dalin në shesh shprehen se kërkesa e tyre mbetet e pandryshuar.

Protesta kundër qeverisë vijon edhe këtë të shtunë në Tiranë, ndërsa, sipas organizatorëve dhe protestuesve, tubimi ka hyrë në ditën e 77-të.

Në protestën e sotme është vënë re edhe një pjesëmarrje e konsiderueshme e shqiptarëve nga diaspora, të cilët janë kthyer nga jashtë vendit për t’iu bashkuar tubimit.

Një prej protestuesve e cilësoi 77-ditëshin si një periudhë rezistence dhe shprese për ndryshim.

“77 ditë nuk janë thjesht një numër. Janë 77 ditë shprese dhe qëndrese. Ne do të vazhdojmë derisa të vijë zgjidhja dhe ajo është dorëheqja e qeverisë Rama dhe një Shqipëri e re”, deklaroi ai.

Përballje politike që nuk po shuhet

Për protestuesit, tubimi nuk është më thjesht një protestë e radhës, por një përballje politike që synon ndryshimin e qeverisjes në vend.

Ata shprehen të vendosur të vijojnë qëndrimin në shesh, ndërsa kërkesa për dorëheqjen e Edi Ramës mbetet në qendër të protestave.

Nga ana tjetër, kryeministri vijon ta minimizojë përmasën politike dhe shoqërore të lëvizjes, duke e lidhur atë kryesisht me opozitën dhe grupime të ndryshme politike.

Përplasja mes dy qëndrimeve duket se do të vazhdojë: një qeveri që pretendon se protestat nuk përfaqësojnë shumicën dhe protestues që thonë se do të qëndrojnë në shesh derisa të shohin ndryshimin që kërkojnë.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top