Ministri grek i Shëndetësisë i serviloset Izraelit: Dua të jem politikani më pro-Izrael në botë – Kritika për humbjen e luftës së propagandës në Gaza … (VIDEO)

Nga Redaksia – Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, ka deklaruar publikisht se synimi i tij është të bëhet politikani më pro-Izrael në botë, duke shprehur admirim të jashtëzakonshëm për shtetin izraelit dhe duke mbrojtur veprimet e ushtrisë izraelite gjatë luftës në Gaza.

Në një intervistë për televizionin izraelit i24NEWS, gjatë vizitës së tij në Izrael, Georgiadis foli me superlativa për vendin, duke deklaruar se e do Izraelin dhe se dëshiron që Greqia të marrë shembull nga modeli i tij.

“Do të jem shumë i sinqertë. Dua të jem politikani më pro-Izrael në botë. E dua vendin tuaj. Çdo njeri i arsyeshëm në planet duhet ta respektojë popullin izraelit për atë që ka arritur brenda disa dekadash”, deklaroi ministri grek.

Ai vijoi lavdërimet, duke e përshkruar Izraelin si një shtet me demokraci të konsoliduar, respekt për të drejtat e njeriut, shoqëri shumëkulturore dhe arritje të mëdha në shkencë, teknologji dhe ekonomi.

Ju keni krijuar një demokraci të plotë, me respekt të madh për të drejtat e njeriut, një shoqëri funksionale dhe shumëkulturore, si dhe jeni ndër më të mirët në shkencë, teknologji dhe ekonomi. Ju admiroj vërtet. Dua të kopjoj shumë gjëra nga ju për Greqinë”, u shpreh Georgiadis.

Gaza dhe lufta e humbur e propagandës

Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua luftës në Gaza dhe mënyrës se si Izraeli është perceptuar nga opinioni publik ndërkombëtar.

Ministri grek vlerësoi ushtrinë izraelite (IDF), duke pretenduar se ajo kishte bërë përpjekje për të shmangur viktimat civile gjatë operacioneve ushtarake. Sipas tij, ushtria izraelite kishte përdorur paralajmërime dhe kishte kërkuar nga banorët të largoheshin nga zona të caktuara përpara bombardimeve.

Megjithatë, Georgiadis pranoi se, pavarësisht sukseseve ushtarake, Izraeli kishte humbur betejën e propagandës në Perëndim.

“Izraeli arriti të fitojë të gjitha luftërat përreth tij. IDF bëri një punë të jashtëzakonshme për të mbrojtur vendin dhe popullin tuaj, por ju humbët luftën e propagandës”, deklaroi ai.

Sipas ministrit, në shumë vende perëndimore është krijuar perceptimi se Izraeli shkoi në Gaza për të vrarë fëmijë dhe civilë të pafajshëm. Ai e lidh këtë perceptim me rritjen e një vale të re antisemitizmi në Perëndim.

Georgiadis pretendoi gjithashtu se opinioni publik grek mbetet jashtëzakonisht pro-Izraelit, duke deklaruar: “Faleminderit Zotit, jo në Greqi. Opinioni publik grek është jashtëzakonisht pro-Izraelit. Jashtëzakonisht”.

Greqia e sheh Izraelin si partner strategjik përballë Turqisë

Deklaratat e ministrit grek marrin një rëndësi të veçantë edhe në kontekstin e marrëdhënieve strategjike mes Athinës dhe Tel Avivit.

Qeveria greke e konsideron bashkëpunimin me Izraelin një partneritet strategjik, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet gjeopolitike të Mesdheut Lindor.

Ky afrim lidhet jo vetëm me bashkëpunimin ekonomik, energjetik dhe ushtarak, por edhe me interesat rajonale të Greqisë, veçanërisht në raport me Turqinë.

Në këtë kontekst, mbështetja e fortë politike ndaj Izraelit shihet edhe si pjesë e përpjekjeve të Athinës për të konsoliduar aleancat e saj në rajon dhe për të pasur mbështetje në përballjen me sfidat që lidhen me Ankaranë.

Deklarata e Georgiadis shkon përtej një shprehjeje të zakonshme simpatie politike. Ajo tregon se sa e rëndësishme është bërë marrëdhënia me Izraelin për strategjinë e jashtme greke, në një rajon ku aleancat dhe interesat gjeopolitike po marrin gjithnjë e më shumë peshë.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top