ANALIZA/Veliaj, Mërtiri, Samir Mane dhe udhëtimi i Dumanit në Vjenë: Rastësi apo një dosje që po zgjerohet?

Nga Fatmir Merkoçi:

Përplasja Rama–Veliaj po zhvillohet në një moment kur dosja e inceneratorit të Tiranës mbetet e hapur për përgjegjësi të tjera. Por lajmi për udhëtimin e Altin Dumanit dhe BKH-së në Vjenë, ku pretendohet se është marrë në pyetje Mirel Mërtiri, ngre një tjetër pikëpyetje.

A ishte ky udhëtim vetëm për inceneratorët, apo Mërtiri mund të jetë pyetur edhe për informacione të tjera që disponon mbi rrjetet financiare, pastrimin e parave dhe lidhjet e biznesit me politikën?

Në këtë kontekst merr rëndësi edhe dosja e SKY ECC, ku përmendet emri i Samir Manes në komunikimet e personave të dyshuar për trafik droge dhe investime në Green Coast. SPAK ka kryer verifikime dhe kontrolle, ndërsa Balfin i ka mohuar pretendimet për marrëdhënie financiare të paligjshme. Roli dhe përgjegjësia e Manes mbeten për t’u provuar nga SPAK.

Pyetja politike është e pashmangshme: A mund të përdoret dosja e inceneratorëve për ta kufizuar përgjegjësinë te Veliaj dhe Mërtiri, ndërkohë që hetimet për gjurmët e tjera financiare mund të çojnë te biznesmenë shumë më të afërt me Edi Ramën?

Nëse Mërtiri ka informacion përtej inceneratorëve, SPAK duhet ta verifikojë. Nëse dosja austriake përmban prova për pastrim parash apo lidhje me trafikun e drogës, ato duhet të hetohen veçmas dhe pa asnjë mburojë politike.

Rama nuk mund të kërkojë transparencë vetëm për Veliajn. As Veliaj nuk mund të jetë përgjegjësi i vetëm i një skeme që duhet hetuar në çdo hallkë. Drejtësia duhet të ndjekë paratë, jo konfliktet politike. Dhe asnjë oligark, sado pranë kryeministrit të jetë, nuk duhet të jetë jashtë hetimit apo i mbrojtur nga kryeministri Rama.

Koha është për veprim e ndryshim. Çdo zgjatje sjell pasoja të rënda për vetë vendin. Dhe SPAK duhet të shkojë tek shënjestra kryesore që është Rama. Ndryshe, çdo proces mbetet i vakët e pa rezultat. Rezultat që e pret çdo shqiptar.

Kujdes spiunët!

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top