Nga Kastriot Çipi:
Kemi 20 vjet që po vuajmë pasojat e sistemit zgjedhor për Kuvendin, i cili përfaqëson kombinimin më të keq të mundshëm të tri elementeve problematike: sistem proporcional, rajonal dhe me lista të mbyllura. Ky model u hartua nga çifti Rama-Berisha, me kukullat e tyre respektive, ndërsa më pas u modifikua nga çifti Rama-Basha, duke i shtuar edhe një të keqe të katërt: ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Rezultati tashmë dihet. Në katër palë zgjedhje radhazi, Këllira pakëson votat, por shton mandatet e fituara.
Por, për sa kohë në politikën shqiptare vazhdon të ekzistojë boshti i së keqes, Rama-Berisha, “nuk kemi parë asgjë akoma”, siç u shpreh vetë Këllira në shtator të vitit 2013.
Sipas rregullit të pashkruar, të keqen më të vogël e propozon Këllira dhe më pas del Luli ose Sala me një propozim edhe më të keq, vetëm që propozimi i parë të duket më i pranueshëm.
Këllira propozon zhvillimin e një referendumi për uljen e numrit të deputetëve nga 140 në 100, me synimin që Kuvendi i ardhshëm të dominohet vetëm nga dy parti, ose në fakt nga një binom PS/PD. Mirëpo, për të mbërritur te referendumi, duhet më parë një ligj për referendumet, të cilin Berisha (bashkë me Bashën) dhe Rama (bashkë me Nanon) nuk e kanë dashur kurrë dhe nuk e kanë miratuar, duke shkelur Kushtetutën.
Pa dyshim, një ligj i mirë për referendumet do të ishte i mirëpritur. Referendumi për uljen e numrit të deputetëve do të përbënte një rikthim te demokracia direkte, pas gati 30 vitesh. Ai do të ishte një referendum kushtetues, pasi numri i deputetëve përcaktohet nga Kushtetuta, dhe do të shënonte amendamentin e parë kushtetues të miratuar nga populli përmes referendumit, pas shtatë amendamenteve të miratuara vetëm nga Kuvendi.
Ju duket i keq propozimi i Këllirës për uljen e numrit të deputetëve? Keni të drejtë. Është i keq. Ai godet pluralizmin dhe deformon edhe më shumë vullnetin e votuesve. Por prisni, sepse ka edhe më keq. Është ajo që propozon doktor Virusi.
Çfarë propozon Saliu? Së pari, del kundër referendumit, madje edhe kundër projektligjit të ri për referendumet. Jo sepse e konsideron projektligjin të keq, por sepse, sipas tij, “nuk pranon të votojë asnjë ligj të kësaj qeverie”. Nuk kërkon ndryshime në projektligj në interes të shqiptarëve. Nuk do fare ligj, në interes të vetes dhe të Këllirës. “Nuk ka nevojë për referendum”, thotë gjysma tjetër e derrit maç. “E miratojmë bashkërisht në Kuvend, por… nëse e bëjmë Kuvendin me dy dhoma dhe Senati, si dhoma e lartë, të ketë 40 senatorë.”
Ajo që asnjëri prej tyre nuk e ka thënë ende, është se harta e re zgjedhore mund të ndahet në katër zona zgjedhore, në vend të dymbëdhjetë zonave që ka aktualisht. Pra, sistemi do të mbetet rajonal. Këtu mjafton pak aritmetikë e thjeshtë për të kuptuar se 100 mandate të ndara në katër rajone do të thotë 25 mandate për secilin rajon. Kjo nënkupton se një partie të re do t’i duhej minimumi 4% e votave në secilin rajon për të fituar vetëm një mandat. Pra, situata do të ishte edhe më e keqe se ajo aktuale. Ky është propozimi i Këllirës.
Mirëpo doktor Virusi kërkon krijimin e një Senati me 40 senatorë. Dhe Senati do të ishte dhoma e lartë e Kuvendit, pra praktikisht instanca vendimmarrëse që mund të rrëzojë të gjitha projektligjet e miratuara nga Dhoma e Ulët, ajo e deputetëve me 100 mandate. Por për të fituar një mandat senatori në një hartë me katër rajone, nuk do të mjaftonin 4% e votave, por do të duheshin rreth 10%. Nëse në Dhomën e Deputetëve mund të hyjë ndonjë deputet i Tom Doshit në Rajonin e Veriut ose ndoshta Agron Shehaj në Rajonin e Tiranës, në Senat nuk do të kishte praktikisht asnjë shans të përfaqësohej askush tjetër përveç atyre që emërohen nga Këllira dhe Virusi.
Ja pse, sipas autorit, Këllira dhe Virusi duhet të largohen një herë e përgjithmonë nga skena politike e vendit, së bashku me kërpudhat e tyre helmuese respektive. Nëse shqiptarët i lejojnë ta ndryshojnë edhe këtë herë Kushtetutën sipas interesave të tyre, atëherë mundësia për t’i larguar përmes votës do të bëhet edhe më e vështirë.
Ligj për Referendumet, PO. Kushtetutë të re, PO. Por me Këllirën dhe Virusin, JO!
Si Ligjin për Referendumet, ashtu edhe Kushtetutën e re, duhet t’i miratojë Populli, Sovrani.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

