Nga Redaksia – Më 17 prill të vitit 2021, vetëm një javë para zgjedhjeve parlamentare, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e atëhershme Belinda Balluku prezantuan para shqiptarëve biznesmenin Mohamed Alabbar dhe projektin gjigant për transformimin e Portit të Durrësit.
Në atë kohë u premtua se investimi prej mbi 2 miliardë dollarësh do ta transformonte Shqipërinë, do të hapte mijëra vende pune dhe do ta kthente vendin në një destinacion të turizmit elitar.
Pak muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi miratoi ligjin e posaçëm për Portin e Durrësit, ndërsa në nëntor 2022 u nënshkrua marrëveshja me investitorin. Sipas marrëveshjes, shteti shqiptar i vuri në dispozicion projektit mbi 800 mijë metra katrorë truall në zonën e portit, ndërsa investitori mori përsipër realizimin e projektit me vlerë të deklaruar prej 2 miliardë dollarësh.
Premtimi ishte që punimet të nisnin në vitin 2023. Megjithatë, në vend të kantierit të shumëpritur, publiku pa vetëm rrethime, ndërsa filloi shitja e apartamenteve dhe njësive të biznesit në një projekt që ende nuk ishte ndërtuar.
Sot, pas deklaratës së vetë Mohamed Alabbar se mënyra si u zhvillua projekti në Shqipëri ishte një gabim dhe se gjithçka u bë me nxitim, lindin dyshime dhe pyetje të forta mbi mënyrën se si u menaxhua një nga projektet më të mëdha të promovuara ndonjëherë nga qeveria.
Kur vetë investitori deklaron publikisht se ka gabuar me mënyrën e zhvillimit të projektit në Shqipëri, lind pyetja: A ka ardhur koha që SPAK të verifikojë të gjithë procedurën, nga konceptimi deri te zbatimi i këtij investimi?
Por përgjegjësia politike nuk mund të lihet jashtë këtij debati. Kryeministri Edi Rama ishte promotori kryesor i këtij projekti, duke e paraqitur si investimin më të madh në historinë e Shqipërisë. Pikërisht qeveria e tij mbështeti planin për transformimin e Portit të Durrësit nga një port me rëndësi strategjike në një kompleks rezidencial dhe port jahtesh.
Sot lindin pyetje që kërkojnë përgjigje: A mban përgjegjësi politike Edi Rama për këtë projekt? A duhet të hetohen mënyra e miratimit të tij, procedurat e ndjekura dhe vendimmarrja që çoi në këtë situatë?
Po aq i rëndësishëm është edhe dimensioni strategjik. Porti i Durrësit ka qenë për dekada një nga asetet më të rëndësishme të Shqipërisë, me rol ekonomik dhe strategjik. Ndaj lind pyetja nëse transformimi i tij ndikoi në interesat afatgjata të vendit dhe çfarë pasojash pati ky vendim në raport me partnerët strategjikë, përfshirë edhe NATO-n.
Një tjetër çështje që nuk mund të anashkalohet lidhet me qytetarët që kanë paguar paraprakisht për apartamente apo njësi biznesi në këtë projekt. Nëse projekti dështon ose nuk realizohet sipas premtimeve, kush mban përgjegjësi dhe kush ua kthen paratë këtyre qytetarëve? A janë të mbrojtura investimet e tyre apo do të mbeten viktima të një projekti që vetë investitori e cilëson sot si të gabuar?
SPAK sot ndodhet përballë një prove të rëndësishme. Një hetim nuk do të thotë automatikisht se ka pasur shkelje, por do të shërbente për të sqaruar të gjitha rrethanat, përgjegjësitë institucionale dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve se ligji është i barabartë për të gjithë.
Në fund mbetet një pyetje që kërkon përgjigje: A do të veprojë SPAK për të hetuar një nga projektet më të mëdha dhe më të debatuara në Shqipëri, apo do të zgjedhë të heshtë përballë deklaratës së vetë investitorit që pranoi se mënyra si u zhvillua projekti ishte një gabim?
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

