Kush i prodhoi automjetet: Rama edhe sot i mashtroi shqiptarët me makinat gjermane MAN dhe fuoristradat japoneze Toyota Land Cruiser …

Nga Redaksia – Kryeministri Edi Rama e cilësoi si një “ditë historike për rilindjen e industrisë ushtarake shqiptare” ceremoninë e dorëzimit të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s, të cilat do t’i kalojnë në përdorim Forcave të Armatosura.

Sipas kryeministrit, Shqipëria tashmë ka hyrë në një fazë të re, ku nuk është më vetëm përdoruese e teknologjisë së mbrojtjes, por edhe projektuese dhe zhvilluese e kapaciteteve të saj teknologjike.

Më tej Rama tha se më pas u krijua kompania shtetërore “KAYO”, me 100% pjesëmarrje të shtetit, e cila sipas tij do të jetë qendra e zhvillimeve të reja në industrinë e mbrojtjes.

“Ne nuk jemi të prirur të blejmë nga jashtë asgjë që mund ta prodhojmë këtu. Nuk jemi të prirur të mikpresim kompani të huaja që marrin asetet tona dhe më pas gjithçka e çojnë jashtë. Duam që çdo kompani që vjen në Shqipëri të pranojë shtetin si ortak”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se partneriteti mes “Timak Defence” dhe “KAYO” ka bërë të mundur që shteti shqiptar të ketë aksionet e veta në një kompani prodhuese për ushtrinë.

“Timak Defence” nisi si një startup shqiptar dhe tashmë është kthyer në një fuqi prodhuese për Forcat e Armatosura, ndërsa mjetet e prodhuara në Shqipëri janë realizuar në bashkëpunim me kompani të njohura ndërkombëtare të industrisë së automobilave.

Kryeministri Edi Rama edhe sot doli para shqiptarëve me një tjetër deklaratë që ngre pikëpyetje të mëdha për transparencën e marrëveshjes së industrisë së mbrojtjes.

Por çfarë fshihet pas kësaj deklarate?

Për çfarë automjetesh “Made in Albania” flet Rama?

Sipas të dhënave të bëra publike, automjetet në fjalë janë kamionë MAN, të prodhimit gjerman, dhe fuoristrada Toyota Land Cruiser, të prodhimit japonez.

Atëherë lind pyetja: ku qëndron prodhimi shqiptar në këto mjete? A mjafton që një automjet i prodhuar nga kompani të huaja të pajiset, të modifikohet apo t’i ndryshohet boja në Shqipëri që të quhet “Made in Albania”?

Apo sipas kësaj logjike, nëse ndryshon boja, ndryshon edhe marka?

Rama nuk mund t’i mashtrojë shqiptarët me deklarata propagandistike. Qytetarët meritojnë transparencë të plotë: të dinë çfarë është prodhuar realisht në Shqipëri dhe çfarë është thjesht montuar, pajisur apo blerë nga kompani të huaja.

Industria e mbrojtjes është një çështje serioze dhe nuk mund të përdoret për propagandë politike. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë se ku shkojnë paratë publike dhe çfarë po i prezantohet si “prodhim vendas”.

Sepse një automjet gjerman MAN apo një fuoristradë japoneze Toyota Land Cruiser nuk bëhen shqiptare vetëm duke u vendosur në një ekspozitë apo duke u prezantuar me një emër tjetër.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top