Rama jepe dorëheqjen? Qeveria nënshkruan memorandum me Vietnamin për punësimin, kur shqiptarët po largohen …

Nga Redaksia – Qeveria shqiptare ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Vietnamin për bashkëpunim në fushën e punësimit, duke hapur rrugën për shtimin e bashkëpunimit në sigurimin e fuqisë punëtore nga ky vend aziatik.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit,  Delina Ibrahimaj dhe zëvendësministri i Brendshëm i Republikës Socialiste të Vietnamit, Vũ Chiến Thắng, nënshkruan në Vietnam, Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e punësimit, duke krijuar një kuadër të qëndrueshëm institucional për rekrutimin dhe punësimin e qytetarëve vietnamezë në Republikën e Shqipërisë.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në praninë e përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse të të dy vendeve.

Memorandumi vendos bazat e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në procesin e identifikimit të nevojave të tregut të punës, përzgjedhjes, përgatitjes, rekrutimit dhe punësimit të punonjësve vietnamezë, duke garantuar respektimin e legjislacionit të të dy shteteve dhe standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.

Pyetja që shtrojnë shumë qytetarë është e thjeshtë: Pse qeveria kërkon punëtorë nga Vietnami, kur çdo vit mijëra shqiptarë largohen nga vendi për të punuar në Gjermani, Itali, Britani dhe vende të tjera evropiane?

Në vend që të përqendrohet në rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe krijimin e mundësive që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri, qeveria po zgjeron marrëveshjet me vende të huaja për të sjellë fuqi punëtore.

Ekspertët e ekonomisë argumentojnë se problemi nuk është mungesa e punëtorëve, por mungesa e politikave që i mbajnë shqiptarët në vend. Sipas tyre, nëse pagat dhe kushtet e punës do të ishin më dinjitoze, shumë qytetarë nuk do të zgjidhnin emigrimin.

Nga ana tjetër, qeveria ka deklaruar se bizneset po përballen me mungesë të fuqisë punëtore në disa sektorë dhe se marrëveshje të tilla synojnë të plotësojnë nevojat e tregut të punës.

Megjithatë, për shumë qytetarë mbetet një paradoks: nga njëra anë Shqipëria zbrazet nga emigracioni, ndërsa nga ana tjetër shteti kërkon punëtorë jashtë vendit për të mbushur vendet e lira të punës.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top