Tiranë – Pavarësisht skandaleve që kanë tronditur tregun e mikrokredive në Shqipëri dhe ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë për të kufizuar normat e interesit, dy kompanitë më të mëdha të sektorit vijojnë të raportojnë fitime shumë të larta.
Sipas të dhënave financiare, ECFA, e njohur për publikun me markën Kredo, realizoi gjatë vitit të kaluar një fitim neto prej 593.2 milionë lekësh, ose rreth 6.3 milionë euro. Ndërkohë, Iute raportoi një fitim neto prej 421.8 milionë lekësh, duke e çuar fitimin e përbashkët të dy kompanive në mbi 11 milionë euro.
Këto shifra vijnë në një kohë kur modeli i mikrokredisë mbetet në qendër të kritikave për normat shumë të larta të interesit dhe kostot që u ngarkohen qytetarëve. Debati u intensifikua pas skandalit të skemës MCA, i cili ekspozoi problemet serioze të tregut të mbledhjes së borxheve dhe mikrokredive.
Më poshtë mund të lexoni:
Pas këtij skandali, Banka e Shqipërisë ndërmori masa për të kufizuar interesat maksimale. Vendimi më i fundit përcakton një tavan prej 51.3% për kreditë konsumatore. Megjithatë, ekspertë të ekonomisë argumentojnë se edhe kjo normë mbetet shumë e lartë për konsumatorët dhe se modeli i biznesit të mikrokredive mbështetet pikërisht te interesat dhe tarifat e larta.
Kredo: 78 lekë interesa për çdo 100 lekë kredi
ECFA financon aktivitetin e saj përmes huamarrjes me një kosto rreth 13.5% në vit nga bankat, aksionerët dhe obligacionet. Këto fonde më pas u jepen qytetarëve në formën e kredive me interesa shumë më të larta.
Portofoli i kredive të kompanisë ka arritur në rreth 3.9 miliardë lekë, ose afro 41 milionë euro, ndërsa vetëm nga interesat kompania ka gjeneruar rreth 32 milionë euro të ardhura gjatë vitit.
Më poshtë mund të lexoni:
Në terma praktikë, kjo do të thotë se për çdo 100 lekë kredi të dhënë, kompania arkëton rreth 78 lekë të ardhura nga interesat, një raport që ilustron fitimprurjen e lartë të këtij modeli biznesi.
Iute: Më pak interesa, por komisione agresive
Edhe Iute operon me një model shumë fitimprurës, ndonëse struktura e të ardhurave ndryshon. Kompania raportoi një portofol kredish prej rreth 9.4 miliardë lekësh, ose afro 100 milionë euro, nga i cili gjeneroi rreth 33 milionë euro të ardhura nga interesat dhe komisionet.
Veçoria e modelit të Iute është pesha e madhe e komisioneve. Vetëm gjatë vitit të kaluar, kompania arkëtoi afro 20 milionë euro nga tarifat dhe komisionet që u ngarkohen klientëve.
Nga ana tjetër, kompania deklaron edhe shpenzime të konsiderueshme për funksionimin e aktivitetit, ku mbi 5 milionë euro janë përdorur për konsulencë, marketing, bonuse dhe proceset e mbledhjes së borxheve.
Një model që vazhdon të ngjallë debat
Fitimet e larta të kompanive të mikrokredisë rikthejnë në qendër të vëmendjes debatin mbi funksionimin e këtij tregu dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Edhe pse janë vendosur kufizime ligjore për normat maksimale të interesit, shumë ekonomistë dhe organizata të mbrojtjes së konsumatorëve argumentojnë se kostot reale të kredive të shpejta mbeten tepër të larta, veçanërisht kur llogariten së bashku interesat, komisionet dhe tarifat shtesë.
Në një treg ku kërkesa për kredi të shpejta vazhdon të jetë e lartë, pyetja mbetet nëse masat rregullatore do të jenë të mjaftueshme për të mbrojtur qytetarët, apo nëse modeli aktual do të vazhdojë të prodhojë fitime milionëshe për kompanitë e mikrokredisë, ndërsa barra financiare rëndon mbi huamarrësit. /Kapital.al
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

