Albin Kurti i kërkon Zelenskyt të njohë Kosovën: Pushtimi nuk është vetëvendosje, aneksimi nuk është pavarësi …
Nga Redaksia – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që Ukraina të njohë pavarësinë e Kosovës, duke argumentuar se rasti i Kosovës nuk ka asnjë ngjashmëri juridike apo historike me aneksimin e Krimesë nga Rusia.
Në një opinion të publikuar në median ukrainase “Kyiv Post”, Kurti ka kritikuar qëndrimin e deritanishëm të Kievit për mosnjohjen e Kosovës, duke kërkuar që Ukraina të rishikojë politikën e saj. Sipas kryeministrit kosovar, njohja e Kosovës nga Ukraina do të rrëzonte argumentin e presidentit rus Vladimir Putin, i cili përdor rastin e Kosovës për të justifikuar aneksimin e Krimesë.
Kurti ka rikujtuar mbështetjen e vazhdueshme që Kosova i ka dhënë Ukrainës që prej fillimit të agresionit rus, duke dënuar sulmet e Moskës, duke u rreshtuar me sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, si dhe duke ofruar strehim për gazetarët ukrainas, ndihmë dhe trajnime ushtarake.
Sipas tij, përballë kësaj mbështetjeje, qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet një kontrast që duhet rishikuar. Kurti ka kujtuar gjithashtu se Zelensky e ka përsëritur këtë qëndrim gjatë një deklarate në Beograd, në gusht të këtij viti.
Në qendër të argumentit të Kurtit është përdorimi që Vladimir Putin i bën rastit të Kosovës për të justifikuar aneksimin e Krimesë. Sipas kryeministrit kosovar, Kremlini përpiqet të barazojë dy zhvillime krejt të ndryshme, me qëllim që të diskreditojë Perëndimin dhe të paraqesë aneksimin rus si një akt vetëvendosjeje.
Kurti thekson se pretendimet për vetëvendosje nuk mund të trajtohen si të barasvlershme, pasi çdo rast duhet të shqyrtohet në bazë të historisë, rrethanave dhe veprimeve konkrete të palëve të përfshira.
Duke argumentuar dallimet mes Kosovës dhe Krimesë, ai ka rikujtuar se pavarësia e Kosovës erdhi pas një historie të gjatë shtypjeje të shqiptarëve, luftës, spastrimit etnik, ndërhyrjes së NATO-s dhe një procesi të gjatë negociatash ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, Kurti i është referuar edhe opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, e cila konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Sipas tij, njohja e Kosovës nga Ukraina do të rrëzonte pretendimin e Putinit se Perëndimi zbaton standarde të dyfishta në çështjet e integritetit territorial dhe vetëvendosjes.
“Njohja do ta hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi se demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin. Ajo do ta refuzonte përpjekjen e tij për t’i futur rastet e ndryshme në të njëjtin kallëp, për t’i shërbyer një argumenti të leverdishëm për të”, shkruan Kurti.
Kryeministri kosovar ka theksuar gjithashtu se ndryshimi i kufijve përmes forcës ushtarake nuk mund të barazohet me të drejtën e një populli për vetëvendosje. Duke iu referuar zhvillimeve në Krime, ai ka argumentuar se një referendum i zhvilluar nën praninë e forcave ushtarake të një shteti tjetër nuk mund të konsiderohet i barasvlershëm me procesin që çoi drejt pavarësisë së Kosovës.
“Pushtimi nuk është vetëvendosje. Aneksimi nuk është pavarësi”, është një nga mesazhet kryesore të opinionit të tij.
Kurti ka shtuar se kjo çështje nuk ka rëndësi vetëm për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Ukrainës, por edhe për shtetet e tjera që hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre territoriale.
Sipas tij, njohja e Kosovës nga Ukraina nuk do të ishte një favor politik ndaj Prishtinës, por një mbështetje për rendin ndërkombëtar, të cilin Ukraina po përpiqet ta mbrojë përballë agresionit rus.
Krimea është Ukrainë. Dhe Kosova është Kosovë, përfundon mesazhi i Albin Kurtit.
© Copyright of PatriotikMedia.al


