21 Janari 2011 dhe hija që rikthehet: A mund të përsëritet tragjedia më 28 Nëntor 2026?

Nga një protestë politike te katër viktima. Nga një grumbullim qytetar te kriza e dhunshme. Historia e 21 Janarit rikthehet si paralajmërim në prag të protestës së 28 Nëntorit

Nga Redaksia – Ajo që ndodhi më 21 Janar 2011 mund të ndodhë edhe më 28 Nëntor 2026? Kjo është pyetja që ngrihet sot, kur protesta e paralajmëruar për Ditën e Flamurit pritet të zhvillohet në Tiranë, në një klimë të tensionuar politike dhe përballë një pushteti që po përballet me pakënaqësi të forta qytetare.

Protesta e 28 Nëntorit është paralajmëruar të nisë në orën 10:00 në Sheshin Skënderbej. Një datë që për shqiptarët simbolizon lirinë, pavarësinë dhe identitetin kombëtar, mund të kthehet në një ditë përballjeje politike, ku çdo veprim i organizatorëve, policisë dhe institucioneve do të ketë peshë të jashtëzakonshme.

Por Shqipëria ka një histori që nuk duhet harruar. 21 Janari 2011 nuk ishte thjesht një protestë e përfunduar me përplasje. Ishte një ngjarje që përfundoi me katër qytetarë të vrarë, dhjetëra të plagosur dhe një krizë të thellë politike, pasojat e së cilës vazhdojnë të diskutohen edhe sot.

21 Janari, nga grumbullimi i qytetarëve te përplasja përpara Kryeministrisë

Protesta e 21 Janarit 2011 ishte paralajmëruar të niste në orën 12:00 të mesditës. Protestuesit që vinin nga rrethet grumbulloheshin në pika të ndryshme të Tiranës, si Zogu i Zi, Pallatet me Shigjeta, Rruga e Elbasanit, Stacioni i Trenit dhe Rruga e Dibrës.

Të organizuar nga drejtuesit përgjegjës të rretheve, protestuesit filluan të vërshonin në arteriet kryesore të kryeqytetit, duke u grumbulluar në Sheshin Skënderbej dhe më pas duke u bashkuar me protestuesit që vinin nga Rruga e Elbasanit, në afërsi të Hotel Dajtit.

Prej aty, turma u drejtua në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, drejt Kryeministrisë.

Zemërimi ishte i madh. Që në momentet e grumbullimit pranë Hotel Dajtit, u vunë re grupe të rinjsh që shkëputeshin nga turma, duke dhënë shenja se protesta mund të mos ishte një demonstrim i zakonshëm politik.

Nën drejtimin e deputetëve të opozitës së asaj kohe, protestuesit u grumbulluan përpara Kryeministrisë. Situata filloi të përshkallëzohej rreth orës 14:00, kur përplasjet mes protestuesve dhe forcave të shumta të policisë që rrethonin institucionin nisën të bëheshin gjithnjë e më të forta.

Përplasjet fizike mes protestuesve dhe policisë nuk u ndalën, edhe pas ndërhyrjeve të deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët tentuan të qetësonin situatën.

Në këtë moment ndërhyri Garda e Republikës, duke përdorur gaz lotsjellës. Protestuesit u gjendën të papërgatitur, ndërsa gazi shkaktoi panik dhe tërheqje të turmës. Edhe forcat e policisë u detyruan të largoheshin nga pozicionet e tyre, pasi një pjesë nuk ishte e pajisur me maska antigaz.

Më pas, në zonën e protestës u përdorën edhe automjete zjarrfikëse me ujë për të shpërndarë turmën, por situata vijoi të ishte e tensionuar.

Ora 16:00, momenti kur protesta mori një kthesë tragjike

Rreth orës 16:00, një pjesë e madhe e protestuesve ishte larguar nga zonat e përplasjes, ndërsa grupet që vazhdonin të përballeshin me policinë dhe Gardën ishin kryesisht të përqendruara në zonën pranë Piramidës dhe Kryeministrisë.

Dhe pikërisht në një moment kur protesta dukej se po shkonte drejt fundit, filluan të dëgjoheshin të shtënat e armëve të Gardës së Republikës, fillimisht në ajër dhe më pas drejt protestuesve.

Të shtënat sollën një tjetër valë paniku dhe reagimi. Informacionet e para për të vrarë dhe të plagosur nisën të mbërrinin nga Spitali Ushtarak.

Lajmi për viktimat u konfirmua nga përfaqësues të opozitës, ndërsa në spital nisën debatet dhe deklaratat kontradiktore për mënyrën se si ishin shkaktuar vdekjet, duke u hedhur edhe pretendime se viktimat mund të ishin goditur nga armë të kalibrit të vogël dhe nga afër.

Në fund, 21 Janari u mbyll me katër protestues të vrarë. Një ditë që duhej të ishte protestë politike u shndërrua në tragjedi kombëtare.

28 Nëntori 2026, një protestë që nis në orën 10:00

Protesta e paralajmëruar për 28 Nëntor 2026 pritet të nisë në orën 10:00 në Sheshin Skënderbej. Ndryshe nga 21 Janari, i cili nisi në mesditë, këtë herë grumbullimi i qytetarëve është parashikuar që në orët e paradites.

Por pikërisht masiviteti i mundshëm, lëvizjet e protestuesve, tensionet politike dhe përballja me institucionet mund ta bëjnë këtë ditë të vështirë për t’u menaxhuar.

Nëse protestuesit do të lëvizin drejt institucioneve qendrore, nëse turma do të jetë e madhe dhe nëse do të ketë provokime apo përplasje, përgjegjësia e organizatorëve dhe e strukturave shtetërore do të jetë e jashtëzakonshme.

21 Janari tregoi se situata mund të ndryshojë brenda pak minutash. Një protestë mund të nisë paqësore, por mjafton një përshkallëzim, një përplasje, një veprim i pakontrolluar apo një vendim i gabuar për të krijuar një situatë me pasoja të rënda.

A po luhet me zjarrin politik?

Në Shqipëri, protestat nuk zhvillohen në një klimë të zakonshme politike. Përballja mes protestuesëve dhe qeverisë, mosbesimi ndaj institucioneve, akuzat për korrupsion dhe zemërimi qytetar krijojnë një terren ku çdo incident mund të përdoret politikisht, ndërsa qytetarët rrezikojnë të gjenden në mes të një përplasjeje që nuk e kontrollojnë.

Kjo është arsyeja pse 28 Nëntori nuk duhet të trajtohet si një ditë e zakonshme politike.

Organizatoret kane përgjegjësinë të mos lejojë që protesta të dalë jashtë kontrollit. Policia ka detyrimin të garantojë rendin, por pa provokime, pa dhunë të pajustifikuar dhe pa tejkalim të kompetencave. Qeveria duhet të kuptojë se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe se asnjë pushtet nuk mund ta trajtojë këtë të drejtë si kërcënim.

Një protestë nuk mund të kthehet në një përballje ku qytetarët paguajnë me gjakun e tyre për konfliktet politike të klasës që drejton vendin.

21 Janari nuk duhet të përsëritet

Askush nuk mund të thotë se 28 Nëntori do të përfundojë në dhunë. Por askush nuk duhet të harrojë as atë që ndodhi më 21 Janar 2011.

Katër qytetarë humbën jetën. Familjet e tyre mbetën me një dhimbje që nuk shërohet. Shqipëria u përball me një nga momentet më të rënda të historisë së saj politike.

Për këtë arsye, 28 Nëntori duhet të jetë një ditë ku qytetarët të protestojnë, të kërkojnë llogari dhe të shprehin zemërimin e tyre, por ku askush të mos humbasë jetën, askush të mos plagoset dhe asnjë institucion të mos përdorë forcën për të mbytur zërin e qytetarëve.

Historia e 21 Janarit është një paralajmërim që nuk duhet injoruar.

Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër 21 Janar. Por nëse politika, organizatorët dhe institucionet nuk mësojnë nga e kaluara, historia mund të kthehet në një plagë të re, pikërisht në ditën kur vendi feston lirinë dhe pavarësinë.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top