Nga Fatmir Merkoçi:
Për ditë me radhë u fol me të madhe për 12 shtatorin. U tha se do të vinin emigrantët, se protesta do të ishte mbarëkombëtare dhe se kësaj here do t’i jepej “grushti i fundit” qeverisë Rama.
Emigrantët erdhën. Ndoshta jo në numrin e deklaruar, por pjesëmarrja ishte e kënaqshme. Dhe një protestë nuk matet vetëm me numrin e njerëzve që marrin pjesë.
Pyetja kryesore është tjetër: Kush po e drejton këtë energji dhe ku kërkon ta çojë atë?
Në protestën e 12 shtatorit, emigrantët pothuajse u bënë “zotër” të mikrofonit. Dëgjuam patriotizëm, dëgjuam “Shqipëria nuk shitet”, dëgjuam thirrje kundër Ramës, Berishës dhe mbështetje për protestën.
Por mungoi thelbi.
Cilat janë afatet për realizimin e kërkesave konkrete? Kush i drejton ato? Kush merr përgjegjësinë? Dhe, mbi të gjitha, si do të realizohen?
Pas rreth një ore fjalimesh u kërkua rrethimi i Kryeministrisë. Pikërisht në atë moment u bë e dukshme mungesa e një drejtimi të përbashkët. Grupet lëviznin sipas udhëzimeve të tyre. Disa qëndronin, të tjerë lëviznin, ndërsa secili grupim kërkonte të shfaqej si protagonist.
Në këtë kaos u shfaqën edhe drejtues të partive të reja politike, të cilët kërkuan hapësirën dhe protagonizmin e tyre.
Dhe këtu lind një tjetër pyetje:
A kemi të bëjmë me një protestë qytetare apo me një garë të re politike?
U shfaqën gjithashtu figura dhe grupime që në opinionin publik lidhen me atë që quhet “sorosianizëm”. Prania e tyre në pjesë të ndryshme të protestës ngre pikëpyetje mbi organizimin dhe mbi interesat që mund të fshihen pas saj.
Pikërisht për këtë arsye, transparenca është e domosdoshme.
Ata që kanë organizuar protestën duhet të dalin publikisht dhe të thonë hapur: Kush janë? Pse qëndrojnë anonimë? Kush i ka hartuar pesë pikat? Kush merr përgjegjësinë për to? Dhe, mbi të gjitha, cila është rruga për realizimin e tyre?
Sepse kemi dëgjuar për dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë së tij. Kemi dëgjuar për largimin e deputetëve. Kemi dëgjuar se “Shqipëria nuk shitet”. Kemi dëgjuar për qeveri teknike dhe ndryshim sistemi.
Por askush nuk po tregon qartë rrugën për të arritur deri aty.
Një protestë serioze nuk mund të jetojë vetëm me slogane.
Dhe ka edhe një mungesë tjetër të madhe: kërkesat ekonomike.
Ku është fermeri? Ku është biznesi i vogël? Ku është pensionisti? Ku është punëtori? Ku është qytetari që përballet çdo ditë me çmimet, taksat, kostot e jetesës dhe mungesën e perspektivës?
Këto janë problemet që e nxjerrin qytetarin në rrugë.
Patriotizmi, nacionalizmi dhe sovraniteti janë të rëndësishëm. Por qytetari nuk jeton me slogane. Ai jeton me pagën, pensionin, biznesin, pronën dhe të ardhmen e familjes së tij.
Nëse këto probleme anashkalohen, protesta rrezikon të mos jetë më një lëvizje qytetare, por një instrument për interesa politike.
Dhe këtu qëndron rreziku.
Populli del në rrugë për ndryshimin, ndërsa dikush tjetër mund të jetë duke përdorur energjinë e tij për të ndërtuar karrierën politike.
Nëse kërkohet ndryshimi i sistemit, duhet të thuhet qartë çfarë sistemi kërkohet.
Nëse kërkohet qeveri teknike, duhet të thuhet kush do ta formojë.
Nëse kërkohet largimi i klasës së vjetër politike, duhet të tregohet alternativa.
Dhe nëse janë pesë pika, duhet të ekzistojë edhe një plan i qartë dhe një afat konkret për realizimin e tyre.
Përndryshe, ato mbeten vetëm pesë pika të lexuara në mikrofon.
Protesta e 12 shtatorit tregoi se ekziston pakënaqësi. Por tregoi edhe diçka tjetër: pakënaqësia pa drejtim, pa organizim dhe pa alternativë mund të shpërdorohet.
Prandaj organizatorët duhet të dalin nga anonimiteti. Të tregojnë fytyrën. Të tregojnë programin. Të tregojnë rrugën. Dhe të marrin përgjegjësinë.
Nuk mund të kërkosh ndryshimin e Shqipërisë duke qëndruar në hije.
Është mëkat të harxhosh energjinë e qytetarëve dhe të emigrantëve për interesa politike apo individuale.
INTERESI KOMBËTAR MBI ÇDO INTERES TË HUAJ
Një tjetër shqetësim është mënyra se si protesta po pasqyrohet nga një pjesë e mediave europiane.
Në vend që protesta të paraqitet në thelb si një reagim i shqiptarëve ndaj problemeve të tyre, ekziston rreziku që ajo të kthehet në një “armë” të debatit politik europian dhe amerikan kundër Donald Trump dhe familjes së tij.
Kjo nuk duhet të jetë qëllimi i shqiptarëve.
Protesta shqiptare duhet të ketë në themel interesin kombëtar dhe interesin e popullit shqiptar, përpara çdo interesi të huaj.
Shqiptarët nuk duhet të dalin në rrugë për t’u bërë pjesë e betejave politike të të tjerëve.
KËRKESAT EKONOMIKE DUHET TË KTHEHEN NË KËRKESA POLITIKE
Nëse kërkesat ekonomike do të ishin paraqitur qartë përpara qeverisë, ato do të kishin edhe afate konkrete realizimi.
Dhe mosrealizimi i tyre nga qeveria do të legjitimonte përshkallëzimin e protestës, deri në një reagim më të gjerë qytetar.
Sepse kërkesat ekonomike ndaj një qeverie janë automatikisht edhe kërkesa politike.
Kur qytetari kërkon uljen e taksave, mbështetje për fermerin, rritje të pensioneve, paga më të mira, mbrojtje të biznesit të vogël, ulje të kostos së jetesës dhe mbrojtje të pronës, ai po kërkon njëkohësisht edhe një politikë tjetër qeverisëse.
Pikërisht për këtë arsye është i domosdoshëm një grup organizator i qartë, transparent dhe përgjegjës.
Një grup që të dalë përpara qytetarëve, të marrë përgjegjësinë për kërkesat dhe të tregojë hapur se cila është rruga e realizimit të tyre.
Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër spektakël politik.
Ka nevojë për një lëvizje qytetare që di çfarë kërkon, nga kush e kërkon dhe si do ta realizojë.
Në fund mbetet vetëm një pyetje:
KUSH PO PROTESTON PËR QYTETARIN DHE KUSH PO PËRDOR QYTETARIN PËR TË PROTESTUAR PËR VETEN?
Pa një përgjigje të qartë, “ndryshimi” mbetet vetëm slogan.
Dhe protesta rrezikon të kthehet në një teatër politik, ku qytetari është spektatori dhe protagonistët ndërrohen çdo pasdite.
Kujdes: protesta duhet të ruhet nga infiltrimi dhe manipulimi. Kujdes nga spiunët dhe nga ata që mund të përpiqen ta devijojnë qëllimin e saj.
Sepse energjia e shqiptarëve duhet të shërbejë për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo për interesa politike të individëve apo për agjenda të importuara nga jashtë.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

