ÇFARË PO I OFROJMË TURISTIT KULTUROR DHE ARTISTIK?
Nga Gezim Zilja:
Vlora zyrtarisht ka vetëm 3 muze në të gjithë territorin e saj: Muzeun e Pavarësisë, Muzeun Historik dhe Muzeun Etnografik, pikërisht në godinën ngjitur me kantierin, sot i mbyllur për arsye rrezik shembjeje.
Muzeu i katërt i Vlorës, në ndërtim i hebrenjve, duhet të përforcojë dhe të rrisë vlerat e monumentit ngjitur, jo ta hijezojë atë.
Themelet gjigande të muzeut hebraik dhe muri mbajtës që është vendosur në godinën e Muzeut Etnografik kanë shkaktuar çarje që rrezikojnë jo vetëm shembjen e godinës, por mbulimin e pamjes të një pjese të tij, përfshi tri dritare që mbyllen nga muri i betonit të muzeut hebraik.
Kryeministri thotë që kemi siguruar 200.000 euro për modernizimin e Muzeut Etnografik. Muzetë nuk modernizohen me xhama me ngjyra dhe bojra dhe shtesa idiote. Ato restaurohen duke mos humbur asgjë nga identiteti.
Godina në ndërtim e muzeut të çifutëve përbëhet nga tre pjesë, ndërtim modern, që nuk kanë asnjë lidhje me ndërtesat qindra vjeçare të qendrës historike!
Turisti kulturor nuk vjen në Vlorë për të parë një arkitekturë copypaste që mund ta gjejë në Tel Aviv, apo në dhjetëra qytete të botës; ai kërkon identitetin, shkallën e rrugëve, traditën e vendit dhe sigurisht historikun.
Sot po përballemi me një paradoks: në vend që Muzeu Etnografik dhe ndërtesat historike përreth të jenë protagonistët e peizazhit urban, po rrezikojmë t’i kthejmë ato thjesht në një sfond hije të arkitekturës së re.
Atëherë, ja një arsye më tepër që muzeu i çifutëve nuk duhet ndërtuar. Ai zotëron pamjen e gjithë sheshit, jo vetëm nga ana e volumit, por edhe nga arkitektura moderne, gjithë shtesa që nuk puqen gjëkundi me arkitekturën e qendrës historike.
Marrë nga shkrimi i arkitektit Elis Baba, “A humbet qendra historike nga ngritja e muzeut hebraik”, me ndonjë shtesë të vogël.
Shënim: Te fotoja “si ishte”, Muzeu Etnografik është ndërtesë dykatëshe në cep.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

