Fotografohet me Ben Shapiron në Dallas: Rama bën biznes ndërsa Berisha ju serviloset Izraelitëve …

Nga Redaksia – Gjatë punimeve të Konventës Republikane në Dallas, Sali Berisha është fotografuar me komentatorin politik amerikan Ben Shapiro, një prej figurave më të njohura të krahut konservator në SHBA dhe një mbështetës i fuqishëm i Izraelit në konfliktin në Gaza.

Berisha e ka publikuar fotografinë në rrjetet sociale duke e cilësuar takimin si një “nder” dhe duke e përshkruar Shapiron si një figurë të rëndësishme të lëvizjes konservatore amerikane dhe si një zë në mbrojtje të familjes dhe vlerave tradicionale.

Por prania e Shapiron në krah të Berishës nuk është një detaj pa rëndësi. Ai është një prej zërave më të ashpër në mbështetje të qëndrimit të Izraelit gjatë luftës në Gaza dhe deklaratat e tij për konfliktin kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare.

Pikërisht për këtë arsye, fotografia e Berishës me Shapiron ka hapur debat mbi mesazhin politik që ish-kryeministri shqiptar kërkon të përcjellë përmes këtyre takimeve.

Ndërsa Berisha e prezanton takimin si një sukses dhe si një moment prestigji politik, mbetet për t’u parë se çfarë përfaqëson realisht kjo afërsi dhe nëse fotografitë e tilla janë pjesë e një angazhimi konkret politik apo thjesht një tjetër element i propagandës së tij politike.

Në fund të fundit, një fotografi mund të prodhojë shumë bujë, por ajo që ka rëndësi është se çfarë qëndrimesh dhe interesash politike fshihen pas saj.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top