Serie A në rrezik për tifozët shqiptarë, Liga bllokon sinjalin e Tring …

Nga Redaksia – Vetëm pak ditë para startit të sezonit të ri të Serie A, tifozët shqiptarë të futbollit italian përballen me një situatë të papritur. Liga Serie A ka pezulluar transmetimin e sinjalit për Tring, platformën që ka të drejtat ekskluzive për transmetimin e kampionatit italian në Shqipëri.

Vendimi lidhet me një përplasje mes Ligës dhe platformës shqiptare për mënyrën se si shpërndahet sinjali i transmetimit jashtë territorit të Shqipërisë.

Në një njoftim zyrtar, Lega Serie A bëri të ditur se sinjalet e Serie A Enilive dhe Coppa Italia Frecciarossa nuk do t’i ofrohen Tring deri në momentin kur platforma të japë garanci të mjaftueshme se transmetimet nuk do të mund të aksesohen nga territori italian.

Sipas Ligës, kontrata në fuqi përcakton qartë se nuk lejohet tejkalimi territorial i sinjalit, i njohur si “overspill”, ndërsa transmetimet OTT duhet të jenë të kufizuara për territorin shqiptar.

Përplasja për sinjalin

Çështja nuk lidhet me të drejtën e Tring për të transmetuar Serie A në Shqipëri. Platforma mbetet partner zyrtar dhe disponon të drejtat për territorin shqiptar.

Problemi, sipas palës italiane, qëndron te fakti se sinjali mund të jetë i aksesueshëm edhe nga Italia.

Transmetimi satelitor përbën një nga vështirësitë kryesore, pasi sinjali nuk mund të kufizohet teknikisht vetëm brenda kufijve të Shqipërisë. Ndërkohë, sipas pretendimeve të Ligës, edhe shërbimet përmes internetit mund të aksesohen nga Italia në pajisje të ndryshme, përfshirë telefonat celularë dhe Smart TV, pa qenë domosdoshmërisht e nevojshme përdorimi i një VPN-je.

Pikërisht ky “overspill” territorial ka sjellë përshkallëzimin e konfliktit.

Nga paralajmërimet te bllokimi

Problematika duket se nuk është shfaqur për herë të parë këtë sezon. Sipas informacionit të bërë publik, shqetësimet e Ligës ishin ngritur që gjatë sezonit të kaluar, kur Tring kishte marrë letra kontestuese lidhur me aksesimin e sinjalit jashtë territorit të Shqipërisë.

Tashmë, pas komunikimeve dhe paralajmërimeve, Liga ka kaluar në një masë konkrete: pezullimin e furnizimit me sinjal.

Në deklaratën e saj, Lega Serie A thekson se sinjali do të mbetet i pezulluar derisa Tring të garantojë respektimin e kufizimeve territoriale të përcaktuara në kontratë.

Çështja i është bërë e ditur edhe UEFA-s, duke marrë parasysh se platforma shqiptare transmeton gjithashtu kompeticione europiane mbi bazën e marrëveshjeve për të drejtat televizive territoriale.

Çfarë do të thotë kjo për tifozët shqiptarë?

Nëse situata nuk zgjidhet përpara startit të kampionatit, tifozët shqiptarë mund të mbeten pa mundësinë për të ndjekur Serie A përmes platformës që aktualisht mban të drejtat e transmetimit në Shqipëri.

Kjo do të ishte një goditje e fortë për ndjekësit e futbollit italian në vend, veçanërisht duke pasur parasysh interesin e madh që Serie A ka historikisht në Shqipëri.

Nga ana tjetër, beteja e Ligës italiane është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të mbrojtur kufijtë territorialë të të drejtave televizive dhe për të luftuar aksesimin e paautorizuar të transmetimeve jashtë tregjeve për të cilat janë shitur të drejtat.

Tring, një prej platformave kryesore sportive në Shqipëri

E themeluar në vitin 2004 dhe aktualisht e kontrolluar nga Vertex Holding, Tring është një prej operatorëve kryesorë të tregut televiziv shqiptar.

Platforma ka një marrëveshje komerciale me DigitAlb dhe ofron një paketë të gjerë të drejtash sportive, përfshirë Serie A, Champions League, Bundesliga, NBA dhe MotoGP, ndërsa në ofertën sportive përfshihen edhe kompeticione të tjera të rëndësishme europiane dhe ndërkombëtare.

Për Serie A, sipas të dhënave të bëra publike, Tring paguan rreth 4 milionë euro në vit për të drejtat e transmetimit në Shqipëri.

Tashmë, megjithatë, përballë platformës është vendosur një kusht i qartë nga Liga: sinjali duhet të qëndrojë brenda territorit shqiptar.

Topi është në fushën e Tring

Vendimi i Lega Serie A nuk nënkupton domosdoshmërisht humbjen e të drejtave nga Tring. Përkundrazi, sipas komunikimit zyrtar, furnizimi me sinjal mund të rifillojë në momentin që platforma shqiptare të japë garanci se do të respektohen kufizimet territoriale të parashikuara në kontratë.

Kështu, ditët në vijim pritet të jenë vendimtare.

Nëse palët gjejnë një zgjidhje teknike dhe kontraktuale, tifozët shqiptarë mund ta ndjekin normalisht Serie A. Në të kundërt, një nga kampionatet më të ndjekura të futbollit në Shqipëri rrezikon të nisë sezonin me ekranet e tifozëve shqiptarë pa sinjal./Kapital

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top