Nga Redaksia – Pas më shumë se një dekade financimi me qindra miliona euro nga buxheti i shtetit, qeveria ka vendosur t’i japë fund dy prej koncesioneve më të debatuara në shëndetësi. Shërbimi i Check-Up dhe ai i dializës do të rikthehen nën administrimin e shtetit, pasi kontratat koncesionare përfundojnë këtë vjeshtë dhe nuk do të rinovohen.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, njoftoi se kontratat për Check-Up dhe dializën skadojnë përkatësisht në muajt shtator dhe nëntor të këtij viti.
“Shërbimi i check-up-it dhe ai i dializës do të merren në dorëzim dhe do të ofrohen nga shteti,” deklaroi ministrja.
Vendimi vjen pasi këto dy koncesione kanë përfituar një financim total prej rreth 17.2 miliardë lekësh, ose afërsisht 182 milionë euro, gjatë 10 viteve të zbatimit të tyre. Nga kjo shumë, kompania që menaxhoi Check-Up-in përfitoi rreth 8.76 miliardë lekë, ndërsa koncesioni i dializës u financua me rreth 8.5 miliardë lekë nga taksat e shqiptarëve.
Ky është koncesioni i dytë në shëndetësi që rikthehet në administrimin shtetëror. Më herët, qeveria mori vendimin për të shtetëzuar edhe shërbimin e sterilizimit, një kontratë që u kushtoi qytetarëve mbi 150 milionë euro dhe që është nën hetim nga SPAK si një procedurë e dyshuar korruptive.
Rikthimi i këtyre shërbimeve në duart e shtetit ngre pikëpyetje të forta mbi politikat e ndjekura gjatë dekadës së fundit. Nëse qeveria pranon sot se këto shërbime mund të ofrohen nga institucionet publike, mbetet për t’u shpjeguar pse për vite me radhë u paguan qindra milionë euro kompanive private për kryerjen e tyre.
Vendimi pritet të rihapë debatin mbi koston reale të koncesioneve në shëndetësi, eficiencën e tyre dhe përgjegjësinë politike për kontratat që kanë rënduar për vite me radhë buxhetin e shtetit.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

