Ndërsa qytetarët protestojnë me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”, kryeministri promovon lejen e parë të Paketës së Maleve
Nga Redaksia – Teksa në Tiranë vazhdojnë protestat e qytetarëve me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të promovojë një tjetër nismë të qeverisë, duke njoftuar miratimin e lejes së parë në kuadër të Paketës së Maleve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e parë për familjen Hasani nga Thethi, e cila synon të investojë kursimet e saj në vendlindje, duke rikthyer në jetë pronën e trashëguar dhe zhvilluar aktivitet në fushën e agroturizmit, bujqësisë dhe blegtorisë.
“Kjo është Paketa e Maleve, paketa e trashëgimtarëve që tanimë me ligj e jo veç me zakon, mund të rilindin shtëpitë e vjetra të stërgjyshërve apo jetëzojnë me agroturizëm, prodhim bujqësor a blegtoral, si edhe agropërpunim, tokat e të parëve të tyre”, shkroi Rama.
Sipas kreut të qeverisë, familja Hasani ka vendosur të kthehet në Shqipëri për të investuar në pronën e të parëve, duke u bërë përfituesja e parë e kësaj pakete ligjore që synon zhvillimin ekonomik të zonave malore.
Njoftimi i kryeministrit vjen në një kohë kur klima politike në vend mbetet e tensionuar dhe protestat kundër qeverisë vazhdojnë, me qytetarë që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës. Në këtë kontekst, qeveria po vijon të promovojë projektet dhe nismat që, sipas saj, synojnë nxitjen e investimeve dhe rikthimin e emigrantëve në vendlindje.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

