Nga Sajmir Mema:
Për ditë me radhë, kryeministri Edi Rama përsërit se ka një “kontratë me 800 mijë shqiptarë”. Një deklaratë që ngre një pyetje të madhe:
Shoku Rama, kush janë këta 800 mijë shqiptarë?
A janë ata pensionistët që numërojnë lekët deri në fund të muajit?
A janë të rinjtë që vazhdojnë të largohen nga vendi sepse nuk shohin të ardhme?
A janë fermerët që ankohen se prodhimet u kalben në ara?
A janë familjet që çdo ditë përballen me një kosto jetese gjithnjë e më të lartë?
Dhe mbi të gjitha, çfarë do të thotë “kam lidhur kontratë me 800 mijë shqiptarë”? Në një republikë parlamentare, kryeministri nuk qeveris vetëm për ata që e kanë votuar. Ai është kryeministër i çdo shqiptari.
Ndërkohë, prej 61 ditësh, qytetarë protestojnë duke kërkuar të dëgjohen. Në vend të dialogut, ata dëgjojnë të flitet për një “kontratë” me vetëm një pjesë të shqiptarëve.
Sot, zemërimi qytetar u pa qartë edhe në Poliçan, ku qindra banorë dolën në protestë kundër planit për shkrirjen e bashkisë së tyre në kuadër të Reformës Territoriale 2.0.
Mes pankartave që tërhoqën vëmendjen ishte edhe mesazhi: “Fëmijët na i larguat, tani doni të na fshini nga harta.”
Banorët kërkuan që Poliçani të mbetet bashki më vete, ndërsa disa prej tyre dogjën teserat e Partisë Socialiste dhe draftin e reformës territoriale, duke shprehur revoltën e tyre dhe frikën se kjo reformë do të përshpejtojë shpopullimin e zonës. Në protestë ishte edhe kryetari lokal i PS-së, Erion Zylyftari, i cili deklaroi publikisht dorëheqjen, duke u shprehur se ndihej i tradhtuar.
Edhe banorët e Përrenjasit kanë protestuar më herët për të njëjtën çështje, duke treguar se pakënaqësia nuk është e izoluar, por po shtrihet në disa qytete të vendit.
Ndërkohë, në intervistën për Channel 4, kryeministri deklaroi se në Zvernec po hapej një rrugë për komunitetin lokal. Megjithatë, kjo deklaratë është kundërshtuar nga qytetarë dhe aktivistë që ndjekin zhvillimet në terren, të cilët kërkojnë transparencë të plotë për projektet që po zbatohen në zonë.
Po institucionet ku janë?
Çfarë bën Gjykata Kushtetuese, kur një kryeministër deklaron se ka një “kontratë” me vetëm një pjesë të shqiptarëve? A nuk e parashikon Kushtetuta se qeveria duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim?
Po SPAK-u? Shqiptarët presin një drejtësi që nuk mbyll sytë përballë çdo dyshimi që prek interesin publik. Besimi te shteti ndërtohet kur institucionet veprojnë me të njëjtin standard për të gjithë.
Shqipëria nuk ka nevojë për kontrata politike me një pjesë të popullit. Ka nevojë për një qeveri që dëgjon zërin e qytetarëve, respekton protestën dhe jep llogari për çdo vendim që prek jetën e tyre.
Sepse pyetja mbetet po ajo:
Shoku Rama, kush janë këta 800 mijë shqiptarë me të cilët thua se ke lidhur kontratë? Dhe kur në rrugë protestojnë qytetarë nga veriu në jug, kur bashki të tëra ndihen të braktisura dhe kërkojnë të dëgjohen, a nuk është koha të dëgjosh edhe ata që nuk janë pjesë e “kontratës” tënde?
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

