GJKKO rrëzon SPAK-un për Sazanin, nis hetimi penal për dekretin e Presidentit Bajram Begaj …

Nga Redaksia – Ishulli i Sazanit, një nga zonat më strategjike të Shqipërisë dhe në qendër të debatit publik për shkak të projektit turistik të investitorit amerikan Jared Kushner, është tashmë objekt i një hetimi penal me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Vendimi i gjykatës për të rrëzuar mosfillimin e procedimit penal nga SPAK shënon një zhvillim të rëndësishëm, pasi detyron Prokurorinë e Posaçme të kryejë verifikime të plota mbi pretendimet për nxjerrjen e një pjese të territorit të ishullit nga Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura.

Sipas vendimit të GJKKO-së, SPAK nuk kishte kryer asnjë veprim konkret hetimor përpara se të vendoste mosfillimin e procedimit penal, duke e detyruar tashmë organin e akuzës të regjistrojë çështjen dhe të zhvillojë hetime të plota. Më poshtë sjellim analizën dhe informacionin e detajuar të publikuar nga Artur Meçollari mbi këtë çështje.

Sazani, ashtu si edhe Zvërneci, nën hetim nga SPAK

Kallëzim penal ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për veprat penale të “dorëzimit të territorit” dhe “shpërdorimit të detyrës” (nenet 208 dhe 248 të Kodit Penal).

GJKKO e Shkallës së Parë ka detyruar SPAK-un të regjistrojë procedimin penal, pasi prokurori Arben Kraja kishte vendosur mosfillimin e tij.

Një qytetar shqiptar, emrin e të cilit, për arsye etike, nuk mund ta bëj publik, pasi nuk kam autorizimin e tij, më 23 qershor 2026 dorëzoi në SPAK një kallëzim penal kundër Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për veprat penale të “dorëzimit të territorit” dhe “shpërdorimit të detyrës” (nenet 208 dhe 248 të Kodit Penal).

Sipas kallëzimit, Presidenti Bajram Begaj ka nxjerrë nga Plani i Përhapjes dhe Veprimit të Forcave të Armatosura 45 hektarë territor në ishullin e Sazanit, nga një sipërfaqe totale prej 650 hektarësh, në funksion të zhvillimit të projektit turistik luksoz të Jared Kushner. Kallëzimi përfshin edhe çdo zyrtar tjetër ushtarak apo civil që mund të ketë qenë i përfshirë në procedurën e nxjerrjes së dekretit presidencial.

Më 25 qershor 2026, SPAK regjistroi kallëzimin penal me nr. 77, duke caktuar si prokuror të çështjes Arben Krajën. Më pas, me vendimin e datës 29 qershor 2026, prokurori vendosi “mosfillimin e procedimit penal”, me arsyetimin se kallëzimi “nuk përmban në vetvete asnjë element bindës të mjaftueshëm për regjistrimin e një procedimi penal ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj”.

Kallëzuesi i kërkoi drejtuesit të SPAK-ut, Klodian Braho, zëvendësimin e prokurorit të çështjes, por kërkesa nuk u pranua.

Më 7 korrik 2026, kallëzuesi e ankimoi vendimin e prokurorit Arben Kraja në GJKKO e Shkallës së Parë. Më 21 korrik 2026, me vendimin nr. 501, gjyqtarja Atalanta Zeqiraj vendosi shfuqizimin e vendimit për mosfillimin e procedimit penal të datës 29 qershor 2026 dhe urdhëroi SPAK-un të regjistrojë procedimin penal, të kryejë veprimet hetimore të cituara nga gjykata, si edhe çdo veprim tjetër që do të vlerësohet i nevojshëm gjatë dinamikës së hetimit.

Në arsyetimin e saj, gjyqtarja Atalanta Zeqiraj thekson:

“Në dosjen e përcjellë nga Prokuroria e Posaçme rezulton se gjendet vetëm kallëzimi penal dhe vendimi i mosfillimit të procedimit penal. Nuk rezulton që nga ana e organit procedues të jetë kryer ndonjë veprim verifikues referuar thelbit të kallëzimit penal dhe konkretisht pretendimit lidhur me daljen nga plani i përhapjes të ishullit të Sazanit. Në rrethana të tilla, gjykata çmon se vetëm pas verifikimit të elementëve të cituar më lart mund të konkludohet nëse ka elementë të ndonjë vepre penale apo jo.”

SPAK ka 10 ditë afat për ta ankimuar këtë vendim në GJKKO e Apelit, duke filluar nga dita pas marrjes së njoftimit.

Sipas arsyetimit të gjykatës, prokurori Arben Kraja nuk kishte kryer asnjë verifikim shkresor apo marrje deklarimesh nga persona që kishin dijeni për çështjen, përpara se të vendoste mosfillimin e procedimit penal.

Tashmë, në zbatim të vendimit të gjykatës, SPAK do të duhet të kryejë verifikimet e nevojshme dhe të marrë në pyetje një numër zyrtarësh ushtarakë dhe civilë që kanë dijeni për çështjen. Mes tyre, pritet që SPAK të zhvillojë edhe një seancë të katërt pyetjesh me Presidentin Bajram Begaj në zyrën e tij, pas tre seancave të mëparshme që lidhen me procedimet penale për bazën detare të Limionit dhe Shëngjinit.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top