Nga Redaksia – Protestat që kanë vijuar prej javësh në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare, të cilat i kanë kushtuar hapësirë zhvillimeve politike dhe reagimeve qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. CNN, në rubrikën analitike “Fareed’s Global Briefing”, trajtoi protestat që kanë shpërthyer fillimisht për shkak të projektit të resortit në Zvërnec, por që, sipas analizës së gazetarit Fareed Zakaria, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.
Zakaria thekson se, sipas bisedave me pjesëmarrës në protesta, pakënaqësitë nuk lidhen vetëm me një projekt të vetëm investimi, por me zhgënjimin e grumbulluar ndër vite ndaj klasës politike dhe mungesës së zhvillimit ekonomik.
Në analizën e tij ai shprehet se projekti i mbështetur nga Jared Kushner u bë shkëndija e protestave, ndërsa objektivi politik i tyre është kryeministri Edi Rama.
Edhe The Guardian raportoi për protestat në Tiranë, duke përshkruar pjesëmarrjen masive të qytetarëve dhe kundërshtimin ndaj projektit turistik në Zvërnec. Gazeta evidentoi shqetësimet e protestuesve për ndikimin mjedisor të projektit dhe kërkesat për pezullimin e tij.
Në të njëjtën linjë, edhe The Atlantic e përshkroi situatën si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare në Shqipëri që prej rënies së regjimit komunist. Sipas raportimit, protestat kanë bashkuar qindra mijëra qytetarë dhe janë shoqëruar me debate mbi korrupsionin, krimin e organizuar, ndikimin e huaj dhe drejtimin politik të vendit.
Analiza e mediave amerikane vë në dukje se projekti i lidhur me Jared Kushner shërbeu si katalizator i protestave, por pakënaqësitë e qytetarëve shkojnë përtej këtij investimi dhe lidhen me perceptimin për qeverisjen, ekonominë dhe funksionimin e institucioneve.
Kështu, sipas mënyrës se si e kanë trajtuar CNN, The Guardian dhe The Atlantic, protesta nuk paraqitet thjesht si një reagim ndaj një resorti turistik, por si një shprehje e pakënaqësisë më të gjerë politike dhe sociale ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

