Tiranë – Shqipëria ka nisur zyrtarisht përgatitjet ligjore për adoptimin e monedhës euro. Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim publik, përfshin për herë të parë një kapitull të posaçëm që rregullon funksionimin e Bankës së Shqipërisë në rast se vendi bëhet pjesë e Eurozonës.
Sipas projektligjit, nga dita kur euro të prezantohet si monedha zyrtare e Republikës së Shqipërisë, ajo do të zëvendësojë lekun si njësi monetare kombëtare. Banka e Shqipërisë do të jetë përgjegjëse për hedhjen në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane.
Projektligji parashikon gjithashtu që Banka e Shqipërisë të përcaktojë dizajnin kombëtar të monedhave metalike euro që do të emetohen nga Shqipëria, duke respektuar standardet dhe procedurat e Bashkimit Evropian.
Ky hap konsiderohet pjesë e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian dhe nuk nënkupton se euro do të zëvendësojë menjëherë lekun. Kalimi në monedhën e përbashkët evropiane mund të ndodhë vetëm pasi Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, të plotësojë kriteret ekonomike të kërkuara dhe të pranohet në Eurozonë.
Megjithatë, përfshirja e këtyre dispozitave në projektligj tregon se autoritetet shqiptare kanë nisur përgatitjet institucionale dhe ligjore për një proces që, në të ardhmen, mund të çojë në zëvendësimin e lekut me euron si monedha zyrtare e vendit.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

