Ambientalisti ngre alarmin: Pas projektit për 12 diga në Nikaj-Mërtur fshihet ndërtimi i HEC-eve …

Nga Redaksia – Ambientalisti Sazan Guri ka reaguar ashpër ndaj një projekti që, sipas tij, synon ndërtimin e 12 digave në lumin fushor të Nikaj-Mërturit, duke paralajmëruar se pas argumenteve zyrtare fshihet një plan për ngritjen e hidrocentraleve të vegjël.

Sipas Gurit, qytetarëve u thuhet se digat do të ndërtohen për të ndaluar sedimentet që përfundojnë në liqenin e Komanit, ndërsa ai e konsideron këtë argument të pabazuar dhe një justifikim për një tjetër ndërhyrje në natyrë.

Ai shprehet se zona e Nikaj-Mërturit është ndër më të ruajturat në vend, me pyje të dendura që minimizojnë erozionin natyror. Sipas tij, edhe formacionet shkëmbore gëlqerore të zonës prodhojnë sasi shumë të vogla sedimentesh, ndaj pretendimi për rrezik të madh nga erozioni nuk qëndron mbi baza shkencore.

Në reagimin e tij, Guri kritikon edhe institucionet dhe personat që, sipas tij, po mbështesin këtë projekt, duke i akuzuar se po shpërfillin natyrën, shkencën dhe interesin e banorëve të Nikaj-Mërturit.

Ai vlerëson qëndrimin e banorëve të zonës, të cilët janë organizuar për të mbrojtur lumin dhe mjedisin e tyre, duke deklaruar se bashkimi i komunitetit është pengesa më e madhe për realizimin e këtij projekti.

Debati mbi ndërhyrjet në lumenjtë shqiptarë dhe ndërtimin e hidrocentraleve vazhdon të mbetet një nga çështjet më të diskutueshme në vend, ndërsa reagimi i Sazan Gurit pritet t’i japë edhe më shumë jehonë kundërshtimeve ndaj projektit të propozuar në Nikaj-Mërtur.

Galeria:

Ndalohet kopjimi sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top