ANALIZA: “Qeveria në Japoni” – Shqipëria rurale nuk shpëtohet me fotografi, por me vizion …

Nga Redaksia – Nga një fotografi e zakonshme e delegacionit shqiptar në Japoni, historiani dhe studiuesi Auron Tare ngre një pyetje thelbësore për fatin e Shqipërisë rurale dhe mënyrën sesi qeveritë shqiptare e konceptojnë shtetin, zhvillimin dhe trashëgiminë kombëtare.

Në analizën e tij, Tare vëren se një pjesë e madhe e qeverisë shqiptare kishte udhëtuar drejt Japonisë, një vend që prej dekadash po lufton me shpopullimin e zonave rurale, plakjen e popullsisë dhe braktisjen e fshatrave. Pikërisht për këtë arsye, ai mendoi se delegacioni shqiptar ndoshta kishte shkuar për të studiuar nga afër modelet japoneze të rilindjes rurale dhe mbrojtjes së identitetit kombëtar.

Por sipas tij, asnjë diskutim serioz nuk u dëgjua për këto çështje.

Japonia që mbron fshatin si identitet kombëtar

Tare kujton përvojën e tij të bashkëpunimit me organizata japoneze në Butrint, ku me mbështetjen e tyre u ndërtua shkolla e Vrinës dhe Shën Dëllisë, u restaurua spitali i Libohovës dhe shkolla teknike e Gjirokastrës. Nga ajo eksperiencë, ai thotë se kuptoi se japonezët nuk e trajtojnë shtetin si dekor politik, por si përgjegjësi kombëtare.

Sipas tij, Japonia e kuptoi herët se braktisja e fshatit nuk është vetëm krizë ekonomike, por humbje e kujtesës historike, kulturës dhe identitetit kombëtar.

Për këtë arsye, qeveritë japoneze – pavarësisht kahut politik – kanë ndërtuar programe afatgjata për rikthimin e jetës në zonat rurale.

Një prej tyre është programi “Chiiki Okoshi Kyōryokutai”, i nisur në vitin 2009, i cili financon restaurimin e shtëpive tradicionale, mbështet familjet që rikthehen në fshat, subvencionon bujqësinë dhe agroturizmin, si dhe krijon lehtësi fiskale për komunitetet rurale.

Po ashtu, Japonia krijoi edhe të ashtuquajturën “Banka e Shtëpive të Braktisura”, një databazë kombëtare ku regjistrohen shtëpitë bosh në zonat rurale, duke i kthyer ato në mundësi për banim, investim dhe zhvillim ekonomik.

Në analizën e tij, Tare ndalet edhe tek mënyra sesi Japonia përdori artin dhe kulturën për të ringjallur zonat e harruara.

Ai sjell shembullin e projekteve si “Echigo-Tsumari Art Triennial” dhe “Setouchi Triennale”, ku fshatra dhe ishuj të braktisur u transformuan në destinacione ndërkombëtare arti dhe turizmi kulturor.

Ndërkohë programi “Satoyama” u përqendrua në mbrojtjen e peizazheve tradicionale rurale, pyjeve, fushave të orizit, ujvarave dhe fshatrave historikë, duke i konsideruar ato pjesë të identitetit kombëtar japonez.

Sipas Tares, parlamenti japonez ka miratuar ligje për mbrojtjen e këtyre peizazheve, ndërsa komunitetet lokale përfshihen drejtpërdrejt në çdo projekt zhvillimi.

Në fund të analizës së tij, Auron Tare bën një krahasim të fortë me realitetin shqiptar.

Ai thekson se kolegët japonezë “nuk kanë ngritur dorën për të prishur zona të mbrojtura dhe për t’i mbushur me beton”, ndërsa në Shqipëri trashëgimia natyrore dhe kulturore shpesh shihet si pengesë për interesa klienteliste dhe ndërtime pa kriter.

Për Taren, problemi nuk është fakti që ministrat shqiptarë udhëtojnë deri në Japoni, por se “kthehen po aq bosh sa kanë ikur”.

Në përfundim ai jep një mesazh të qartë:

“Japonia nuk na duhet si sfond për fotografi ekzotike, por si një shkollë idesh. Shqipëria ka nevojë për projekte konkrete, modele serioze dhe guxim për të shpëtuar fshatin shqiptar dhe trashëgiminë kombëtare nga braktisja e madhe.”

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *