Nga Redi Minga:
Nga njëra anë, shqiptarëve u premtohet “ëndrra europiane”. Nga ana tjetër, sa herë që Shqipëria afrohet me një kapitull negociatash, Athina del me një kërkesë të re për detin, kufijtë apo interesat strategjike në jug të vendit. Dhe sot pyetja që shtrojnë shumë shqiptarë është e thjeshtë: çfarë vlere ka BE-ja për Shqipërinë, kur për të hyrë në të po kërkohet të falet pasuria kombëtare?
Vizita e paralajmëruar e ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, në Tiranë nuk është një vizitë rutinë diplomatike. Në qendër të saj ndodhet rikthimi i negociatave për ndarjen e zonave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë — një çështje që për vite me radhë ka ndezur debate të forta kombëtare.
Athina kërkon me ngulm që procesi të rifillojë dhe të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, duke ringjallur marrëveshjen e vitit 2020 mes qeverisë Rama dhe palës greke. Por shqiptarët nuk e kanë harruar se një marrëveshje e mëparshme për detin u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, pasi u konsiderua e dëmshme për interesat kombëtare dhe për sovranitetin territorial të vendit.
Sot, në vend që qeveria shqiptare të hapë një debat publik transparent, gjithçka po zhvillohet në heshtje, nën petkun e “integrimit europian” dhe “marrëdhënieve të mira fqinjësore”. Në fakt, duket sikur Greqia po përdor rrugën europiane të Shqipërisë si mjet presioni për të marrë atë që nuk arriti dot përmes marrëveshjeve të mëparshme.
Deklaratat greke janë domethënëse. Zyrtarët e Athinës e lidhin drejtpërdrejt mbështetjen për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE me përparimin e çështjes së detit. Pra, mesazhi është i qartë: nëse doni BE-në, duhet të lëshoni pe në interesat kombëtare.
Kjo është arsyeja pse shumë qytetarë ndihen të tradhtuar. Sepse Shqipëria nuk mund të hyjë në Europë duke falur detin, burimet natyrore apo sovranitetin e saj. Integrimi nuk mund të jetë pazar territorial.
Edhe më shqetësues është fakti se pala greke pranon hapur se Shqipëria nuk ka kapacitetet teknike për një betejë të tillë juridike në Hagë, ndërsa Athina “ofrohet” të ndihmojë teknikisht procesin. Në çdo shtet normal kjo do të konsiderohej alarm kombëtar: pala që ka interes direkt në çështje propozon të ndihmojë teknikisht palën tjetër që teorikisht është kundërshtare në proces.
Nëse kjo nuk është pabarazi negociuese, atëherë çfarë është?
Ndërkohë, qeveria e Edi Ramës vazhdon propagandën e integrimit europian, ndërsa opinioni publik mbahet larg detajeve reale të negociatave. Asnjë transparencë për kufijtë detarë, për zonat ekonomike ekskluzive, për pasuritë nënujore apo për interesin strategjik që ka Shqipëria në Jon.
Historia ka treguar se sa herë Shqipëria ka negociuar e dobët dhe pa bosht kombëtar, ka humbur. Dhe sot rreziku është që, në emër të “fqinjësisë së mirë” dhe “hapjes së kapitujve”, vendi të hyjë në një tjetër marrëveshje që nesër shqiptarët do ta quajnë tradhti.
Sepse një komb që jep detin për një premtim politik, nesër mund të zgjohet pa as det dhe pa Europë.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
