Nga Redaksia – Projekti i shumëpropaganduar “Durrës Yacht & Marina”, i prezantuar nga qeveria e Edi Rama si një nga investimet më të mëdha të huaja në Shqipëri, duket se po shkon drejt dështimit të plotë.
Sipas informacioneve që disponon PatriotikMedia.al, kompania arabe “Alabar” nuk do të arrijë ta realizojë projektin në Durrës, ndërsa zhvillimet e fundit tregojnë se pas skenës ka pasur presion të fortë ndërkombëtar për ndalimin e tij.
Burime të sigurta bëjnë me dije se ndërhyrja e strukturave të lidhura me NATO, si dhe interesat strategjike të Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për portin e Durrësit, kanë ndikuar drejtpërdrejt në bllokimin e projektit.
Durrësi konsiderohet një pikë kyçe strategjike në Adriatik dhe një nyje me rëndësi të veçantë ushtarake dhe logjistike për aleancën perëndimore. Pikërisht kjo rëndësi strategjike, sipas burimeve, ka sjellë edhe presionin e jashtëm ndaj qeverisë shqiptare për të mos lejuar vazhdimin e projektit të Alabar.
Në prapaskenë flitet se Edi Rama ka hequr dorë nga përballja me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa pezullimi i ndërtimeve po maskohet publikisht me debate teknike dhe burokratike.
Loja që po zhvillohet së fundmi me pretendimet për “spostim godine”, “28 centimetra” apo “30 metra”, sipas burimeve të PatriotikMedia.al, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të fshehur të vërtetën e madhe: projekti ka hyrë në rrugë pa kthim dhe nuk do të vazhdojë më.
Më të humburit nga kjo histori pritet të jenë qytetarët shqiptarë dhe investitorët që kanë besuar tek propaganda e projektit. Shumë persona, sipas informacioneve tona, kanë investuar para duke menduar se projekti do të ecte përpara, por tashmë rrezikojnë të mbeten me humbje të mëdha financiare.
PatriotikMedia.al mëson se situata është shumë më serioze nga sa paraqitet në media pranë qeverisë dhe se prapa dyerve të mbyllura projekti konsiderohet praktikisht i dështuar.
Burimet theksojnë qartë: projekti “Alabar” në Durrës ka dështuar 100% dhe nuk do të realizohet.
