Nga Redaksia – Tirana u kthye këtë të martë në qendrën e një samiti Shqipëri-Izrael, ku morën pjesë mbi 40 kompani izraelite të teknologjisë dhe sigurisë kibernetike. Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve, duke deklaruar publikisht se “Shqipëria për hebrenjtë mbetet shtëpi”.
Sipas mediave që raportuan nga samiti, kompanitë izraelite kanë ardhur në Tiranë me fokus tek siguria kibernetike, inovacioni dhe transformimi digjital, në një kohë kur qeveria shqiptare po kërkon të zgjerojë bashkëpunimin me Izraelin në fushën e teknologjisë dhe mbrojtjes kibernetike.
Në fjalën e tij, Rama kujtoi edhe sulmet kibernetike iraniane ndaj Shqipërisë në vitin 2022, duke deklaruar se Izraeli ka qenë ndër vendet që ndihmoi Shqipërinë për të përballuar krizën. Ai tha se vendi ynë duhet të investojë më shumë në sisteme mbrojtjeje dhe në teknologji moderne.
Por deklaratat e kryeministrit dhe afrimi gjithnjë e më i madh me struktura të huaja teknologjike kanë ndezur reagime dhe debat në opinionin publik shqiptar. Në rrjetet sociale, shumë qytetarë kanë ngritur pikëpyetje mbi drejtimin që po merr vendi, duke e lidhur këtë zhvillim me frikën për humbjen e identitetit kombëtar, rritjen e ndikimit të huaj dhe largimin masiv të shqiptarëve nga vendi.
Kjo është arsyeja pse shumë persona po rikujtojnë paralajmërimet që prej vitesh janë bërë nga figura publike dhe analistë të ndryshëm, të cilët kanë folur për ndikimin e fondacioneve globale, politikave të migrimit dhe projekteve ndërkombëtare në Ballkan. Në rrjet po qarkullon gjerësisht edhe deklarata se “ato që dikur quheshin teori konspirative, sot po shfaqen hapur para syve të shqiptarëve”.
Nga ana tjetër, qeveria shqiptare e paraqet këtë partneritet si një mundësi ekonomike dhe teknologjike për vendin, duke argumentuar se investimet në sigurinë kibernetike dhe teknologji janë jetike për të ardhmen e Shqipërisë.
Megjithatë, debati mbetet i hapur:
A po ndërtohet një Shqipëri moderne dhe e integruar në ekonominë globale, apo shqiptarët po ndihen gjithnjë e më të huaj në vendin e tyre? /Veritas.com.al
