Nga Redaksia – Nga kjo e premte, 1 maj, një lajm i shumëpritur për shqiptarët në të dy anët e kufirit është bërë realitet: Shqipëria dhe Kosova kanë rikthyer zyrtarisht regjimin e kalimit pa kontrolle kufitare për automjetet me targa të dy vendeve. Një vendim që nuk është thjesht teknik apo sezonal, por mbart një domethënie të thellë kombëtare dhe ekonomike.
Sipas marrëveshjes mes dy qeverive, deri më 30 shtator, automjetet me targa shqiptare dhe kosovare do të kalojnë kufirin pa ndalesa dhe pa procedura të zakonshme kontrolli. Ky lehtësim do të zbatohet në të gjitha pikat tokësore, me fokus të veçantë në aksin Morinë–Vërmicë, ku çdo verë krijohen flukse të mëdha lëvizjeje.
Ndërkohë, për mjetet me targa të huaja, kontrollet nuk hiqen plotësisht, por reduktohen në minimum, duke synuar shmangien e radhëve të gjata dhe vonesave që shpesh kanë penalizuar udhëtarët dhe turizmin.
Ky regjim i ri vjen pas një ndërprerjeje dy mujore gjatë marsit dhe prillit, kur u rikthyen kontrollet e plota kufitare. Megjithatë, edhe gjatë asaj periudhe, në fundjava dhe festa zyrtare u aplikuan procedura të thjeshtuara, duke dëshmuar se vullneti për lehtësimin e lëvizjes nuk ka munguar.
Por përtej aspektit praktik, kjo marrëveshje është një hap konkret drejt asaj që shqiptarët e kanë ndjerë gjithmonë si të natyrshme: lëvizjen e lirë brenda hapësirës kombëtare. Kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës mbetet një vijë administrative, por gjithnjë e më pak një pengesë reale për qytetarët.
Në planin ekonomik, ndikimi është i menjëhershëm. Sezoni veror pritet të sjellë një rritje të ndjeshme të turizmit, sidomos në bregdetin shqiptar, ku mijëra qytetarë nga Kosova zgjedhin të kalojnë pushimet. Po ashtu, lehtësohen vizitat familjare dhe intensifikohen shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
Ky model bashkëpunimi, i aplikuar prej vitesh, ka treguar se kur ka vullnet politik dhe ndërgjegje kombëtare, barrierat bien dhe bashkimi funksional bëhet realitet.
Në një kohë kur rajoni përballet me sfida të shumta, shembuj të tillë bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës dëshmojnë se forca e lidhjes kombëtare mbetet një faktor stabiliteti dhe zhvillimi.
Deri më 30 shtator, rruga mes shqiptarëve do të jetë më e hapur se kurrë. Dhe kjo nuk është vetëm një lehtësi udhëtimi – është një mesazh i qartë se kufijtë nuk mund të ndajnë një komb.
