Avokati Goxhaj: Tani nis seanca Gjyqësore e “Mercenarëve të Soros & LGBTQ” kundër Andrea Bregut, ku vetë Gjyqtari ndodhet në të njëjtën situatë me akuzuesit …

Gjyqi i pamundur për fjalën “mercenarë të Soros”: kur vendimi prek edhe vetë gjyqtarin!

Nga Redaksia – Gjyqi për shpifje mbi termin “mercenarë të Soros” ka një problem të madh: gjyqtari Gentian Jahjolli ndodhet në të njëjtën situatë si akuzuesit. Edhe ai ka marrë pagesa nga OJF të financuara nga Fondacioni Soros, njësoj si paditëset ndaj Andrea Bregut!

Nga Av. Altin Goxhaj dhe aktivisti Andrea Bregu:

A ka kuptim ky gjyq?

Një pyetje e thjeshtë, që del vetë nga akuza penale ndaj aktivistit Andrea Bregu: a ka kuptim një gjyq kur vetë gjyqtari ndodhet në të njëjtin pozicion si pala që ka ngritur akuzën?

Sepse situata është kjo, pa shumë teori.

Nëse gjyqtari e shpall Andrean të pafajshëm, atëherë pranon se Andrea kishte të drejtë kur tha për Mirela Arqimandriti dhe Ines Leskaj (si drejtuese të GDAC dhe AWE, të financuara nga Fondacioni Soros) se janë “mercenarë të Soros”.

Dhe në atë moment, jo vetëm dy paditëset, por edhe vetë gjyqtari Gentian Jahjolli — i cili ka deklaruar në formularin e pasurisë se ka marrë pagesë si ekspert nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që funksionon në të njëjtin sistem financimi — hyn në të njëjtin diskutim publik: pra, edhe ai rezulton në të njëjtin kategorizim.

Nëse e shpall fajtor, ndalon këtë lloj etiketimi. Dhe bashkë me paditëset, edhe vetë gjyqtari del nga ky pozicion.

Me fjalë të tjera, vendimi nuk prek vetëm palët. Ai kthehet edhe te vetë gjyqtari që e jep.

Pse u kërkua përjashtimi i gjyqtarit?

Kjo është arsyeja pse në këtë proces u kërkua përjashtimi i gjyqtarit. Jo për lidhje direkte me palët, por për diçka më të thjeshtë: për faktin që ndodhet në të njëjtën situatë që po gjykohet.

Por gjykata nuk e pa kështu.

Kërkesa u rrëzua nga gjyqtari Sokol Shehu, me argumentin se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me fondacionin apo me palët në proces — nga njëra anë duke mbyllur sytë përballë konfliktit të interesit, dhe nga ana tjetër duke paragjykuar vetë thelbin e çështjes: “a konsiderohet lidhje marrja e pagesës nga një organizatë e financuar nga Fondacioni Soros?”

Dhe këtu lind kontradikta.

Sepse edhe dy paditëset nuk kanë lidhje direkte me Fondacionin Soros: nuk janë staf i tij. Edhe ato paguhen përmes organizatave të financuara nga Soros.

Pra, për njërën palë kjo lidhje mjafton për të hapur gjyq; për tjetrën nuk mjafton as për t’u përjashtuar nga gjykimi.

I njëjti fakt, dy mënyra leximi.

Një çështje që shkon përtej Andrea Bregut

Dhe pikërisht këtu çështja nuk është më vetëm Andrea Bregu.

Është një pyetje më e madhe, që prek mënyrën se si funksionon drejtësia e dalë nga Reforma në Drejtësi: gjykoni çfarë të doni, por mos prekni Soros dhe njerëzit e tij — sepse ai shfaqet njëkohësisht si subjekt i debatit dhe si sistem që ndikon mbi gjykimin.

A mund të konsiderohet i paanshëm një gjyq, kur gjyqtari ndodhet në të njëjtin realitet që po gjykon?

Sepse në fund, drejtësia nuk matet vetëm nga vendimi. Ajo matet nga besimi që krijon.

Dhe ky besim nis nga një rregull i thjeshtë: ai që gjykon duhet të jetë jashtë historisë që po gjykon.

Kjo është abetarja juridike e vitit të parë. Është edhe parimi bazë i çdo gjykate.

Si nisi ky gjyq

Çështja nisi në nëntor 2025, në kulmin e debatit për “Ligjin për Barazinë Gjinore”.

Në atë moment, aktivisti Andrea Bregu publikoi në rrjetet sociale të dhëna nga një databazë pagash që lidhej me dy organizata joqeveritare: Rrjetin e Fuqizimit të Gruas dhe Qendrën Aleanca Gjinore për Zhvillim.

Më poshtë mund të lexoni:

Në publikimin e tij në Facebook, Bregu nxori në pah pagat e punonjësve dhe drejtuesve të këtyre organizatave, duke argumentuar me të dhëna publike se ato financoheshin nga Fondacioni Soros. Madje, sipas tij, GADC ishte krijuar drejtpërdrejt nga ky fondacion si “spin-off” në vitin 2002.

Në këtë kontekst, ai përdori termin “mercenarë të Soros”, duke i konsideruar këto organizata dhe individë si pjesë e një sistemi ndikimi politik, siç ndodh shpesh në diskursin konservator ndërkombëtar.

Pas këtij publikimi, drejtueset Mirela Arqimandriti dhe Ines Leskaj e çuan çështjen në gjykatë, duke e akuzuar Bregun për “shpifje” dhe “ndërhyrje të padrejtë në jetën private”, dhe duke kërkuar dënim penal dhe gjobë.

Zhvillimet në gjykatë

Dosja përfundoi në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë dhe çështja iu caktua gjyqtarit Gentian Jahjolli, i njohur për angazhime të mëparshme në sektorin e shoqërisë civile dhe projekte ndërkombëtare.

Pikërisht këtu nisi edhe problemi i dytë i procesit.

Në fillim të shkurtit 2026, në seancën e parë, avokati Altin Goxhaj kërkoi përjashtimin e gjyqtarit. Arsyeja ishte konkrete: sipas deklarimit të pasurisë, Jahjolli kishte marrë pagesë si “ekspert i rastësishëm” nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, një organizatë që financohet nga i njëjti fondacion i përmendur në këtë çështje.

Pra, argumenti ishte i drejtpërdrejtë: nëse padia bazohet mbi faktin që persona të paguar nga OJF të financuara nga Soros janë objekt kritikash, atëherë një gjyqtar me të njëjtën përvojë nuk mund të konsiderohet i shkëputur nga ky realitet.

Kërkesa për përjashtim u shqyrtua më 14 shkurt 2026 dhe u rrëzua nga gjyqtari Sokol Shehu.

Arsyetimi ishte se nuk ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes gjyqtarit dhe fondacionit apo palëve në proces. Por pikërisht ky është thelbi i debatit që tashmë ka dalë jashtë sallës së gjyqit.

Një precedent i rrezikshëm?

Sepse në këtë çështje nuk po diskutohet një lidhje direkte, por një lidhje përmes strukturave — pikërisht ajo që është në qendër të vetë akuzës.

Dhe këtu historia nuk është më vetëm një konflikt mes një aktivisti dhe dy organizatave.

Është një çështje që ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si interpretohet konflikti i interesit në praktikë, sidomos kur preken interesa të mëdha dhe struktura të fuqishme ndikimi.

A ishte ky një ndër efektet e padeklaruara të reformës në drejtësi?

Kjo është pyetja që sot kërkon përgjigje.

Sepse ky gjyq nuk prek vetëm një individ.

Ai prek standardin e lirisë së shprehjes dhe besimin tek drejtësia.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *