Nga Redaksia – Përfaqësuesi special i Presidentit rus Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, ndodhet aktualisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po zhvillon një seri takimesh me anëtarë të administratës së Donald Trump. Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, në qendër të diskutimeve janë mundësitë për një marrëveshje të mundshme paqeje për Ukrainën, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.
Burimet diplomatike bëjnë të ditur se vizita e Dmitriev vjen në një moment delikat ndërkombëtar, përpara një vendimi të rëndësishëm të SHBA-së mbi zgjatjen ose jo të një heqjeje të përkohshme të sanksioneve ndaj naftës ruse. Kjo masë, e cila skadon më 11 prill, ka qenë pjesë e një mekanizmi fleksibil të Uashingtonit për të ndikuar stabilitetin e tregjeve globale të energjisë.
Sipas të njëjtave burime, çështja e sanksioneve dhe e tregut të energjisë është gjithashtu një nga temat kryesore të bisedimeve që po zhvillohen në prapaskenë mes palëve.
Më herët, Shtetet e Bashkuara kishin autorizuar një periudhë 30-ditore lehtësimi, duke lejuar blerjen e kufizuar të naftës dhe produkteve të naftës ruse që ndodhen nën sanksione. Ky vendim u justifikua nga administrata amerikane si një masë e nevojshme për të shmangur tronditje në tregjet globale të energjisë, veçanërisht në kushtet e tensioneve të rritura ndërkombëtare dhe konfliktit në Ukrainë.
Ndërkohë, fakti që zhvillohen kontakte të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve të lartë rusë dhe administratës amerikane ngre pikëpyetje mbi drejtimin e ardhshëm të politikës së SHBA-së ndaj Moskës, si dhe mbi mundësinë e një rikonfigurimi të balancave gjeopolitike në lidhje me luftën në Ukrainë.
Në këtë kontekst, mbetet për t’u parë nëse këto bisedime do të sjellin një qasje të re diplomatike apo thjesht një menaxhim të përkohshëm të krizave ekzistuese në fushën e energjisë dhe sigurisë globale.
